Pasi firmosi dekretin, Meta publikon arsyet pse ktheu ligjin

Një ditë pasi firmosi dekretin për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit që ndryshon procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta ka publikuar dhe arsyet me të cilat argumenton ‘anti-kushtetueshmërinë’ e tij.

Marketing

Presidenti i Republikës, konstaton se ligji është në kundërshtim me nenet 4, pikat 2 e 3, dhe 129 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Ai i referohet nenit 4 pika 3 të Kushtetutës i cili parashikon se rregulli kushtetues zbatohet drejtpërdrejtë. Në rastin konkret, neni 129 i Kushtetutës në të cilin parashikohet procedura e betimit të gjyqtarëve para presidentit, renditet ndër dispozitat Kushtetuese të cilat zbatohen drejtpërdrejtë dhe qëllimi i këtij neni nuk mund të rregullohet, shtohet apo ndryshohet me ligj.

Në argumentimin e tij Meta shkruan se Kuvendi përmes këtij ligji shmangen dispozitat Kushtetuese duke përmbysur kështu hierarkinë e normave ligjore në Shqipëri.

Presidenti shkruan se ligji i Kuvendit bie ndesh me përmbajtjen e nenit 129 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

“Rregulli kushtetues i ngulitur në nenin 129 të Kushtetutës, kurrsesi nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet me akte juridike që dalin në shkelje të Kushtetutës. Neni 129 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është një dispozitë që ushtrohet drejtpërdrejt dhe kushtetutëbërësi këtë të drejtë, përmes kësaj dispozite, ia ka atribuar posaçërisht Presidentit të Republikës. Duke ju referuar të gjitha konstatimeve të mësipërme, ligji nr. 14/2020, bie ndesh me normat kushtetuese që parashikojnë kompetencat e Presidentit në lidhje me betimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Shtimi i pikës 1 në dispozitën ligjore të nenit 8, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, nuk mbështetet në parimet dhe rregullimet kushtetuese, por e shkel hapur Kushtetutën. Kjo shkelje dhe dhunim i Kushtetutës, cenon edhe parimin e shtetit të së drejtës, të shprehur me hierarkinë e normave dhe përparësinë e Kushtetutës, në raport me normat e tjera ligjore. Për më tepër, ky ligj synon që gjatë procesit të vlerësimit dhe zgjedhjes/emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nëse Presidenti i Republikës konstaton shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit, ai të mos ketë mundësi t`i evidentojë ato. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse tentativa e radhës për kapjen politike të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese nga partia shtet, dhe shkatërron besueshmërinë në sistemin e drejtësisë në tërësi. Presidentit, i kërkohet jo vetëm nga Kushtetuta por edhe nga situata aktuale që të mbrojë në mënyrë energjike vlerat bazike të Kushtetutës dhe demokracisë. Për këtë do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore në proporcion me rrezikun e madh që i kanoset bashkëjetesës së qytetarëve, ruajtjes së vetë ekzistencës së shtetit të së drejtës dhe Kushtetutës mbi të gjitha”, shkruan ndër të tjera Presidenti Meta në arsyetimin e tij.

Marketing