Pendarovski: Maqedonia, e vetmja në rajon që ka treguar kapacitet për kompromis rreth çështjeve të vështira

Në vitin e ardhshëm pres forcimin edhe më intensiv të solidaritetit dhe partneritetit evropian, si dhe intensifikim të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike. Ky është rreziku, por edhe garancia që do të sigurojë paqen, prosperitetin dhe forcimin e mëtejmë të demokracisë si në vendin tonë ashtu edhe në Evropë, theksoi presidenti Stevo Pendarovski në pritjen tradicionale vjetore që organizoi dje në mbrëmje për përfaqësuesit e trupi diplomatik të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Marketing

Siç njoftojnë sot nga kabineti presidencial, Pendarovski theksoi se ata i përkasin një gjenerate politikanësh të cilët, siç tha, ballafaqohen me “detyrën aspak të lehtë për të përcaktuar konturet e rendit evropian në të cilin do të jetojnë qytetarët tanë, kur lufta dhe vuajtjet në Ukrainë do të marrin fund”.

“Përgjigja jonë sot ndaj ngjarjeve tragjike në Ukrainë flet se si e imagjinojmë Evropën dhe botën pas përfundimit të kësaj lufte. Paqja dhe çlirimi i Ukrainës është një prioritet që nuk ka alternativë. Nëpërmjet kryesimit tonë të OSBE-së këtë vit, ne do të përpiqemi të japim një kontribut, së bashku me të gjitha subjektet e tjera. Në këtë kontekst, është e rëndësishme nëse do të lejojmë që historia të përsëritet duke lënë që regjimet politike anakronike të qeverisin jetën tonë dhe të vendosin për të ardhmen tonë. Demokracia duhet të mbizotërojë dhe përgjegjësinë më të madhe për këtë e kanë ato vende që hapën dyert e demokracisë për shoqëritë tona kur Muri i Berlinit ra, para më shumë se 30 vitesh. Prandaj, kjo është koha kur angazhimet deklarative duhet të zëvendësohen me vendime të guximshme, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, zgjerimin e Bashkimit Evropian, apo për sigurinë dhe përparimin ekonomik të gjithë hapësirës evropiane, rekomandoi Pendarovski.

Siç informon Kabineti i Pendarovskit, presidenti i vendit në fjalimin e tij para trupit diplomatik ka theksuar se Maqedonia e Veriut, si edhe më parë, në kuadër të kompetencave të tij do të përpiqet të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane, dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e saj.

“Megjithatë, më duhet të theksoj se për vendin tim periudha e kaluar ishte e mbushur me sfida të mëdha dhe sulme joparimore ndaj parametrave të identitetit, me të cilat ndoshta në planin verbal është përballur vetëm Ukraina në historinë e re të Evropës. Dhe në kushte të tilla ne treguam pjekuri dhe vizion, duke marrë vendime për të cilat e dinim se do të kritikoheshim nga një pjesë e opinionit, të cilat mund të ulnin popullaritetin tonë dhe që nga disa mund të interpretoheshin edhe si mangësi, madje edhe dobësi. Pa modesti të rreme, deri tani jemi të vetmit në rajon që kemi treguar kapacitet për kompromis për çështje të vështira dhe kur themi se besojmë në vlerat e demokracisë, kjo për ne nuk është aspak vetëm retorikë dhe aq më pak dobësi. Me këto kompromise u bëmë anëtare e NATO-s dhe hapëm fazën e parë të negociatave me BE-në. Pas tre vitesh anëtarësim në Aleancë, besoj se askush nuk dyshon më se edhe një vend i vogël si Maqedonia e Veriut mund të jetë partner i rëndësishëm dhe të kontribuojë për paqen në kuadrin rajonal dhe atë evropian”, theksoi Pendarovski.

Në këtë vit, siç tha ai, presim të përfundojmë fazën e skriningut të procesit të negociatave me Unionin dhe të kalojmë në hapjen e klasterëve.

“Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë së shpejti në agjendën e brendshme dhe në këtë kontekst, ne kemi nevojë për një atmosferë në të cilën të gjitha forcat pro-evropiane mund të bashkohen dhe t’i bëjnë ato ndryshime. Ai proces nuk do të jetë i lehtë dhe çdo provokim apo sulm i mëtejshëm ndaj identitetit tonë vetëm sa do ta komplikojë më tej atë. Me fjalë të tjera, në rrugën evropiane nevojitet një mjedis i qëndrueshëm dhe parashikueshmëri. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë se integrimi evropian për ne nuk nënkupton vetëm marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe përparim ekonomik, reforma serioze dhe luftë reale, jo retorike kundër korrupsionit të lartë”, shtoi Pendarovski.

Kreu i shtetit në fjalën e tij, siç informoi sot kabineti i tij, vlerësoi se rajoni në të cilin jetojmë është veçanërisht i prekur nga ngjarjet në Ukrainë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pasojat ekonomike dhe sociale apo, nga ana tjetër, ekspozimi ndaj kërcënimeve hibride dhe fushatave të lajmeve të rreme.

“Vitin e kaluar, hapja e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, statusi kandidat i BeH-së, vendimi për anulimin e vizave për Kosovën dhe seria e masave ekonomike për të mbështetur ekonomitë kombëtare, pjesërisht riktheu besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon. Politika të tilla do të kenë një efekt stabilizues në afat të gjatë vetëm nëse bazohen në një strategji afatgjatë për integrimin e plotë të rajonit në BE dhe nëse nuk janë vetëm një përgjigje ndaj luftës në Ukrainë. Një rajon i begatë i fokusuar në bashkëpunim dhe jo në konfrontime, është i mundur vetëm nëse Bashkimi Evropian është emëruesi ynë i përbashkët”, shtoi presidenti i vendit.

Në fjalimin gjatë pritjes për diplomatët në vend, të cilën e mbajti Ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, në rolin e doajenit të trupit diplomatik, Pendarovski njoftoi se në periudhën e ardhshme do të presë së paku tre presidentë nga rajoni dhe Evropa, dhe gjatë këtij viti tashmë janë organizuar disa vizita dypalëshe dhe shumëpalëshe.

“Qëllimi im është që politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në interes të vlerave të përbashkëta që i ndajmë me vendet paqësore dhe demokratike”, theksoi Pendarovski.