Pendarovski për Ditën e Pavarësisë: Është koha që të konfirmojmë se jemi të aftë edhe në praktikë, jo vetëm me fjalë

Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski, nëpërmjet një video-paraqitje ka uruar 32-vjetorin e Pavarisës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Ai thotë se “qëllimi i ekzistencës së Republikës është të arrijmë së bashku atë që nuk mund ta arrijmë veçmas – lirinë, drejtësinë, mirëqenien ekonomike dhe bashkëjetesën”.

“Ashtu si çdo sukses i deritanishëm i shtetit të Maqedonisë është rezultat i përpjekeve të përbashkëta, ashtu edhe pothuajse çdo dështim sistematik është pasojë e devijimit nga ai parim. Gëzuar Ditën e pavarësisë, Qoftë e përjetshme Republika e Maqedonisë”.

“Ndër vite kemi shënuar suksese dhe mossuksese, disa nga ato ndodhën pikërisht në ditën e pavarësisë. Sukseset na gëzuan, por, për fat të keq, shembujt e keqpërdorimeve dhe dështimeve sistematike shkatërruan besimin në institucione dhe e zhvlerësuan vetë shtetin. Ndërsa çmimin e paguajnë ata që më së paku kanë kontribuuar për gjendje të tilla – nxënësit në arsim, të sëmurët në shëndetësi, të varfërit dhe rinia. Gjithnjë e më shpesh solidariteti dhe empatia filluan t’i lënë vendin egoizmit dhe apatisë, dhe ky është një mjedis ku njerëzit nuk duan të jetojnë”, porositi Pendarovski.