Pendarovski: Rezultati pozitiv i referendumit do të ketë rëndësi edhe për raportet ndëretnike

Koordinatori nacional për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO Stevo Pendarovski sot në Strugë ka shënuar fillimin e fushatës së referendumit të ardhshëm që do të mbahet më 30 shtator kur qytetarët duhet të deklarohen “Nëse janë për anëtarësim në BE dhe NATO përmes përkrahjes së marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.

Marketing

Para struganëve ai ka theksuar se epilogu pozitiv nga pyetja e referendumit do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme edhe për raportet ndëretnike në Maqedoni që sipas tij, “është bazë në të cilën shtrohet stabiliteti i vendit”.

“Të gjithë që jetojnë në Strugë e dinë çka nënkupton të jetoni në mjedis multietnik dhe të respektoheni në mënyrë të ndërsjellë. Kjo është çështje që deri tani, përfshirë edhe referendumin e parë më 8 shtator 1991 nuk e kemi pasur. Kjo, pasi nuk ekziston bashkësi etnike në Maqedoni që nuk e përkrah marrëveshjen me Greqinë dhe me këtë edhe hyrjen tonë në BE dhe NATO”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka ftuar të gjithë bashkësitë etnike maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë, romë dhe të tjerë të bashkohen në një anë, pasi siç ka theksuar, “kësaj here nuk do të bisedojmë për parti, mandate dhe katër vite të reja në pushtet apo opozitë, por do të bisedojmë vetëm për atë që Maqedonia të ecë përpara”.

“Struganët e dinë mirë se çka do të thotë të keni një kohabitim mes njerëzve me besim të ndryshëm dhe përkatësi etnike. Në kohë më të vështira deri tani dhe në 2001, problem të llojit të tillë nuk ka pasur siç ka pasur në pjesët tjera të Maqedonisë. Ju fort mirë e dini se çka është më e vlefshme që keni në jetët e juaja përveç sferës private, ajo është të tolerohemi njëri me tjetrin, pasi alternativë tjetër nuk kemi. Kjo është rruga nga e cila duhet të vazhdojmë dhe nuk dyshoj se këtu do të gjejmë në jehonë të shkëlqyeshme pasi e njoh mjedisin”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka paralajmëruar fushatë informative me tone të ulëta, pa ofendime për askënd dhe se do të shkojnë në çdo vend të populluar për t’iu shpjeguar njerëzve mbi përfitimet e prononcimit pozitiv rreth çështjes së referendumit.

“Mendoj se qytetarët mirë janë të njohur se çka në të vërtetë do të kemi më 30 shtator dhe me marrëveshjen maqedono- greke për emrin, por nuk është keq në mënyrë shtesë të shpjegojmë, pasi ka edhe palë tjetër që shumë nuk i respekton këto procese, por i obstruon”, ka thënë Pendarovski.
Ndryshe, ai sonte do të ketë takime me struganët në Qendrën për kulturë “Vëllezërit Milladinovi”.

Marketing