Për 7 vjet, 1200 mjek të rinj janë larguar nga Maqedonia

Mjekët e rinj vazhdojnë të shohin perspektivë jashtë vendit. Brenda shtatë vitesh nga Maqedonia janë larguar rreth 1200 mjekë të rinj.

Marketing

Studentët e mjekësisë thonë se përballen me kushte demotivuese, pasi, sipas tyre, jo çdoherë studenti më i mirë e merr notën më të lartë, specializimet që i meriton ose vend pune, sepse zakonisht ato ndahen në baza partiake.

“Sado që mundohemi nuk mund ta marrim atë që e meritojmë, sepse ka djem të profesorëve apo lidhje tjera, apo lidhje partiake. Kjo ndodh shumë shpesh, e madje është bërë normale”,- tha studentja e mjekësisë.

“Mendoj se rrogat e mjekëve duhet të jenë më të larta dhe të vlerësohet më shumë mjeku”,-theksoi një student.

Nga Klubi i mjekëve të rinj thonë se problemi është sistemor, prandaj duhet reaguar që në fillim të studimeve.

“Problemet me sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit janë me prioritet në përpjekjet tona për të kontribuar të gjithë në një shoqëri që bazohet në barazinë, drejtësinë dhe sigurinë”,- theksoi Nikolla Brzanov nga Klubi i mjekëve të rinj.

“Gjithnjë e më shumë po krijohen kushte për ndërtimin e ngritjes së aftësive profesionale dhe mundësisë për realizim profesional në shtetin tonë si dhe kthimi i besimit në profesionin e mjekut”,- u shpreh dekanja e Fakultetit të mjekësisë, Sonja Topuzovska.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se po merren masa për përmirësimin e kushteve që mjekët e rinj të shohin perspektivë edhe në vend.

“Të gjitha këto procese përafrimi drejt NATO-s dhe BE-së, procesi i hapjes së kapitujve, komunikimi me partnerët tanë në vendet e zhvilluara evropiane, ajo që ne investojmë në rroga, përforcimi i edukimit, jam i sigurt se do të motivojnë mjekët e rinj që të mbeten këtu tek ne”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Edhe përfaqësuesit e kompanive të mëdha theksojnë nevojën që mjekëve të rinj t’u sigurohet perspektivë në vend.

Marketing