Përcaktohen çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë

Janë mbyllur 8 ndeshjet e kthimit të fazës së 1/16-ave të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe 8 skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni.

Marketing

Këto 8 ndeshje u zhvilluan të ndara në dy ditë, të enjten dhe të premten, teksa takimi që uli siparin e kësaj faze ishte Teuta-Erzeni.

Partizani, Kukësi, Laçi, Tirana, Kastrioti, Egnatia, Vllaznia e Erzeni janë 8 ekipet që do të vazhdojnë garën për të fituar trofeun e rëndësishëm.

Në ndeshjet e ditës së enjte, Partizani siguroi fitoren e radhës në këtë kompeticion, pasi triumfoi me shifrat 3-0 kundër Korabit. Për kryeqytetasit shënuan Sota, Silva dhe Hoti, teksa rezultati i përgjithshëm i kësaj ndeshjeje është 6-1.

Edhe Kukësi kaloi pa vështirësi për në fazën tjetër, teksa triumfoi me rezultatin 5-0 kundër Apolonisë. Për verilindorët realizuan Peposhi, Barbosa, Domi (2) dhe Barisha, duke vulosur kështu kualifikimin për në çerekfinale.

Sakaq, Laçi fitoi edhe ndeshjen e dytë në këtë kompeticion kundër Tomorrit. Biba e Myrta i dhanë fitoren bardhezinjve, teksa Lamçe realizoi të vetmin gol për beratasit. Sfida u mbyll me shifrat 2-1, teksa rezultati i përgjithshëm i takimit është 5-2, pasi laçjanët kanë fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-1.

Në ndeshjen e kthimit, Tirana mposhti me rezultatin minimal 1-0 Lushnjen, ku vendosi goli i Regi Lushkjes. Kryeqytetasit u kualifikuan për në çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-0.

Kastrioti është ekipi tjetër çerekfinalist i këtij kompeticioni. Krutanët u ndalën në barazimin pa gola në takimin e së enjtes ndaj Dinamos, teksa kanë triumfuar në takimin e parë me shifrat 3-1.

Në takimin Skënderbeu-Egnatia, ishin rrogozhinasit ata të cilët buzëqeshën në fund të ndeshjes. Kjo përballje u mbyll me shifrat 1-1, por Egnatia siguroi kualifikimin për në çerekfinale falë ndeshjes së parë që e kanë fituar me rezultatin 1-0.

Ndërkaq, në ndeshjet e kësaj të premteje, Vllaznia siguroi biletën për në fazën tjetër në ndeshjen kundër Bylisit. Shkodranët u ndalën në barazimin 1-1 në këtë takim të dytë, teksa kanë fituar sfidën e parë me shifrat 2-0. Teuta-Erzeni mbylli dhe fazën e 1/16 me ndeshjen e luajtur në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”, me durrsakët që siguruan kualifikimin për në fazën çerekfinale ku do të përballen me Kukësi.

Çiftet çerekfinaliste janë si më poshtë:

Kastrioti – Tirana

Vllaznia – Partizani

Egnatia – Laçi

Teuta – Kukësi Takimet e para të fazës çerekfinale do të luhen më 1 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 15 mars.