Edhe pse kanë kaluar katër vite nga hyrja në fuqi e ligjit të gjuhës shqipe ende mbetet për t’u dëshiruar sa i përket sfidave për përdorimin e saj zyrtar. Agjensioni për zbatimin e gjuhës shqipe potencon se ka përfunduar raportin 4 vjeçar për punën e bërë, por ende ka institucione që stagnojnë sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. Nga ky institucion sugjerojnë të shtohen inspektimet dhe sanksionime nga Inspektorati për përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa Agjensioni për zbatimin e gjuhës ka vizituar dhe ofruar mbështetje për të gjitha institucionet që kanë kërkuar ndihmë.
“Sa më shumë inspektime të ketë, por edhe vërejtje dënime aq më shumë do të vetëdijesohen drejtuesit e institucioneve që të zbatojnë ligjet si ligji për përdorimin e gjuhëve, por edhe ligjet tjera janë të njëjta duhet të zbatohen, nëse nuk zbatohet ka sanksione dhe atë e bën inspektorati i gjuhëve dhe nëse u duhet mbështetje kanë agjencinë dhe nuk ka asnjë institucion që ka kërkuar mbështetje dhe nuk e ka pasur.”, – deklaroi drejtori i AZGj-së, Ylber Sela.
Gjinushi për përdorimin e shqipes në RMV: Standardi i përdorimit të jetë më i avancuar
Zbatimi i gjuhës shqipe në RMV duhet të jetë brenda standardeve evropiane, duhet punuar më shumë, sepse shqiptarët nuk janë pakicë janë popullatë shtetformuese potencoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skender Gjinushi. Sipas tij, standardi i zbatimit të shqipes duhet të jetë shumë më i avancuar.
“Kur flitet që institucionet duhet të respektojnë, duhet të garantojnë që dokumentet të jenë në dy gjuhë, jo të gjitha e bëjnë. Ne do të uronim që një ditë agjensioni të del tepër në këtë drejtim, sepse vet institucionet zbatojnë ligjet e vendit dhe popullata respektojnë njëri-tjetrin dhe se kanë problem përkundrazi e quajnë afrim mësimin dhe respektimin e gjuhës së njëri tjetrit.”, – theksoi kryetari i Akademisë së gjuhës shqipe, Skender Gjinushi.
Kraja për përdorimin e gjuhës shqipe në Kosovë: Kosova duhet të bëjë shtetin gjuhësor
Edhe Kosova ende po përballet me sfida për desllavizimin e gjuhës dhe kthimit nga një gjuhë e dytë në gjuhë që përdoret në instanca institucionale, potencon kryetari i AShAMIT në Kosovë, Mehmet Kraja.
“Ne kemi ende shumë punë për të bërë, sepse Kosova përveç shtetit politik, juridIk, administrativ, ushtarak e ka të nevojshme të bëjë edhe shtetin gjuhësor. Ky është proces i vështirë që duhet të fillojë nga kushtetuta, e cila nën trysni të madhe bën diskriminim gjuhësor duke vendosur në pozitë të barabartë gjuhën që flasin 90 për qind me pesë për qind të folësve në Kosovë.”, – u shpreh kryetari i Akademisë së shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.
Përveç sfidave të përdorimit të lirshëm të gjuhës shqipe, të gjithë ne duhet pasur kujdes që të mos deformojmë gjuhën, por të përdorim gjuhën e unjësuar shqipe, u tha në tryezën e rrumbullakët kushtuar përdorimit të gjuhës shqipe.