Përfaqësues të BDI takuan kryetarin e Odës ekonomike, Azeski: BDI vjen me super ekip

Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi – zëvendëskryeministër, Fatmir Besimi – ministër i Financave dhe Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, sot kanë realizuar takim pune me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski dhe me anëtarët e Bordit Drejtues.

Marketing

Në takim u diskutua mbi programin elektoral ekonomik të Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe për propozimet, sugjerimet që dalin nga sektori i biznesit.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se sot Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut i është prezantuar programin ekonomik i BDI-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Ministri theksoi se më e rëndësishmja është që të dalim me sugjerime dhe propozime konkrete për t’i parashikuar ato në programin e BDI-së dhe për të punuar në drejtim të asaj që u prezantua nga kryetari i Odës Ekonomike z.Azezki, e që është një marrëveshje kornizë në fushën e ekonomisë.

“Në përgjithësi të gjitha partitë politike duhet t’i kushtojnë prioritet zhvillimit ekonomik, si dhe standardit të jetesës së qytetarëve në aspektin e integrimit të vendit tonë, por edhe brenda në fusha të caktuara që janë më të rëndësishmet dhe bazohen në tri shtyllat kryesore: ekonomia e integruar, ekonomi e drejtë, ekonomia e gjelbër. Duke pasur parasysh se jemi anëtare të NATO-s, kemi detyrime, natyrisht, që të përgatiten zgjidhje të caktuara ligjore në fushën e industrisë energjetike etj. Jemi të kënaqur me ecurinë e rritjes së standardit të jetesës në drejtim të rritjes së pagës minimale në pagën mesatare. Janë disa modele për të cilat po punojmë tashmë në fushën e kontributeve, me qëllim që më vonë të ndikojnë në rritjen e pagës neto, por edhe në atë të rritjes së produktivitetit”, tha ministri Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjithashtu potencoi se BDI është parti e hapur politike, gjithmonë dëgjon zërin e të gjitha shtresave në shoqëri, në këtë rast të sektorit të biznesit dhe sigurisht që do të kemi edhe takime me Shoqatat për mbrojtjen e konsumatorit me disa palë të tjera të interesuara për të pasur një program sa më gjithë përfshirës ekonomik.