Përfundon procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës

Ka përfunduar në ora 19:00 procesi i votimit në zgjedhjet e katër komunave veriore të Kosovës. Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Marketing

Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore, 6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

Gjatë ditës zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka raportuar se deri në ora 15:00 dolën për të votuar 2.4 për qind e qytetarëve, në Leposaviq, kanë votuar 110 qytetarë apo 0.83 për qind, në Zubin Potok 240 apo 3.6 për qind, në Komunën e Zveçanit 145 apo 2.07 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 597 qytetarë apo 3.3 për qind.

Po ashtu, Elezi ka deklaruar gjatë ditës se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, dhe se nuk është shfaqur ndonjë parregullsi apo problem.

13 qendra të votimit janë krijuar dhe mbajtur në kontejnerë të cilat janë ruajtur nga Policia e Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë organizuar pas dorëheqjes së katër kryetarëve në nëntor të vitit të kaluar. Fillimisht këto zgjedhje u caktuan për 18 dhjetor, por u shtyn për sot shkak të rritjes së tensioneve.