Përmbaruesit në Maqedoni, rreth 2 miliardë euro për 18 vite

Përmbaruesit në 18 vite që kur kanë filluar të punojnë kanë paguar 1 miliard e 922 milion euro në bazë të kërkesave për përmbarim. Në këtë hark kohor janë pranuar 1.993.277 kërkesa për përmbarim, prej të cilave janë realizuar 758.532 lëndë. Me fjalë tjera niveli i realizimit është 38.05 për qind, tregon raporti i fundi vjetor i Odës së përmbaruesve në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Vetëm në vitin e shuma e mjeteve të paguara në emër të lëndëve ka arritur në afër 160 milionë euro. Arkëtimi nga qytetarët si individë është rekord me 41.9 milionë euro, dhe paraqet rezultatin më të mirë në raport me një vit më parë apo 40.5 milionë euro në vitin 2022, i cili konsiderohej deri tani më i suksesshmi. Rekord është edhe arkëtimi nga institucionet shtetërore si debitorë me 29,53 milionë euro, që është padyshim rezultati më i mirë nga vitet e kaluara. Nga biznesi, apo nga personat juridikë janë paguar 90.34 milionë euro.

Raporti vë në dukje numrin më të madh të vendimeve të realizuara deri më tani me 76.572 lëndë me rezultat pozitiv . Ky rezultat është për 14.057 lëndë më i lartë se rekordi i mëparshëm me 62.515 lëndë në vitin 2018. Numri i lëndëve të zgjidhura në vitin 2023 është për 18.371 më i lartë se në vitin 2022.

Lidhur me efikasitetin e punës, viti i kaluar me afër 159 milionë euro është i dyti pas viti rekord të 2017-ës kur janë paguar 166 milionë euro. Përderisa viti 2022, ishte i treti në 18 vite me pagesa me shumën vjetore prej 144 milionë euro.

Gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 76.572 kërkesa dhe përafërsisht po aq kërkesa të reja janë hapur nga ana e përmbaruesve në vitin 2023. Sipas Odës së përmbaruesve “kërkesat e reja reale të pranuara për ekzekutime në vitin 2023 ka në 99.785 raste”.

Qytetarët që nga viti i kaluar janë ankuar se Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve nuk zbatohet nga përmbaruesit dhe i referohet parashkrimit të borxheve që zgjasin mbi 10 vjet. Nga ana tjetër ankohen edhe personat juridikë dhe përmbaruesit që i përfaqësojnë kërkesat e tyre, pas së cilës pasoi iniciativa në Gjykatën Kushtetuese. Interpretimi i tyre është se vetëm kamata mund të rregullohet, por nuk mund të ketë parashkrim për borxhet. Ndryshimet në këtë ligj janë miratuar në mesin e vitit 2023.

Avokati i Popullit, vlerëson se përmbaruesit nuk respektojnë ndryshimet në Ligjet për marrëdhëniet e detyrimeve dhe përmbarimin në pjesën e pezullimit të përmbarimit për shkak të parashkrimit.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e ndryshme të interpretimit dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërprerjen e ekzekutimit të një vendimi nga gjykatat themelore, i cili më pas është rikthyer në fuqi nga gjykatat e Apelit pas ankesave të bëra nga përmbaruesit. “Çdo ligj, i mirë apo i keq, duhet të zbatohet. Nëse diçka mungon gjatë aplikimit, atëherë duhet të ndryshohet”, thekson ai.

Ai sqaron se me ndryshimet është konstatuar se përmbarimi vjetrohet nëse nuk paraqitet propozim për përmbarim brenda 5 viteve nga efekti juridik ose nëse ka kërkesë për përmbarim dhe nuk ekzekutohet brenda 10 viteve. Problemi, thotë ai, lind kur përmbaruesit kanë refuzuar vazhdimisht kërkesat e parashkrimit të debitorëve pas këtyre afateve, por edhe kur gjykatat kanë refuzuar edhe kundërshtimet e paraqitura për këtë çështje.

“Përmbaruesit refuzojnë vazhdimisht kërkesat e parashtruara nga debitorët. Ata i referohen moskompetencës për të vepruar, i referohen pamundësisë për të vepruar sepse kjo çështje nuk është e rregulluar në Ligjin për përmbarim, por vetëm në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve ose në një deklaratë për mos kompetencë. Po të shikosh vendimet e gjykatave, nuk ka gjithashtu një qëndrim të unifikuar. Disa nga gjykatat hedhin poshtë refuzimet e tilla dhe konfirmojnë konkluzionet e gjykatave”, shton Avokati i Popullit Naser Ziberi.

Sipas Dhomës së Përmbaruesve, ligji është i pazbatueshëm sepse nuk është specifikuar se kush dhe si do të përcaktojë procedurat për parashkrimin e detyrimeve, dhe kjo ka rezultuar në më shumë se 700 raste të vendimeve gjyqësore. Për këtë çështje, ato kishin paraqitur iniciativa të reja në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri më tani ka deklaruar se ligji nuk është në kundërshtim me kushtetutën.

Oda e përmbaruesve vlerëson se çështja është shumë komplekse për t’u zgjidhur me ndërhyrje vetëm në ato dispozita dhe theksojnë se zgjidhja është aty ku është krijuar problemi, pra në organin ligjvënës. Gjithashtu, ata besojnë se ky ligj shkakton dëme dhe nuk është i mirë për publikun e gjerë, sepse i ngre jo-paguesit mbi paguesit dhe inkurajon qytetarët të mos përmbushin detyrimet e tyre./Koha.mk/

Marketing