Përmbytjet në Serbi, shtatë komuna nën ujë

Në pjesën jugperëndimore të Serbisë, në Sjenicë, Prijepolje dhe Novi Pazar është shpallur situatë e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut dhe daljes së lumenjve nga shtretërit. Janë evakuar qytetarët më të rrezikuar, kurse autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal.

Marketing

Reshjet e pandërprera dhe intensive të shiut kanë shkaktuar rritjen e nivelit të lumenjve që kanë përmbytur shtëpitë në Sjenicë, Prijepolje, Novi Pazar dhe pjesë tjera të Serbisë jugperëndimore, ku është shpallur situatë e jashtëzakonshme.

Mediat serbe njoftojnë se për shkak të rritjes enorme të nivelit të lumit Ibër, në territorin e Rashkës është përmbytur zona industriale, kurse është dhënë urdhëri që të mbyllen shkollat dhe çerdhet e fëmijëve. Policia gjatë natës ka qenë në kërkim të dy burrave që të enjten më 19 Janar u morën nga përmbytjet në Novi Pazar. Xhirimet në rrjetet sociale tregojnë një burrë që përpiqet të kapë një tjetër për ta shpëtuar por edhe ai bie në ujërat e tërbuar.

Autoritetet serbe thonë se është gjetur një trup i pajetë, për të cilin supozohet se mund të jetë njëri nga dy personat që pësuan nga përmbytjet. Lajmi i mirë, sipas mediave serbe, është se ka nisur rënia e nivelit të lumenjve në zonat më të rrezikuara të Sanxhakut.

Marketing