Përplasja mes agjentëve në Ukrainë, ndërhyn Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar sanksione dhe një hetim pas një shkëmbimi zjarri midis anëtarëve të shërbimit të sigurisë së brendshme (SBU) dhe shërbimit të inteligjencës ushtarake (GUR) në Kiev, i cili ka nxjerrë në pah rivalitetin e thellë midis dy shërbimeve.
“Dy persona të përfshirë në incident tani konsiderohen zyrtarisht të dyshuar: një agjent i SBU-së dhe një agjent i GUR-it”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të rregullt të mbrëmjes të enjten.
“Rrethanat e incidentit janë gjithashtu nën hetim”, shtoi ai. “Është e rëndësishme që e vërteta të zbulohet dhe që situata të tilla të mos ndodhin më”, theksoi ai.
“Bazuar në rezultatet e hetimit të brendshëm, do të bëhet një vlerësim i krerëve të dy shërbimeve – SBU-së dhe GUR-së. Dhe është absolutisht e drejtë të mbahen përgjegjëse të dyja palët. Të dyja vepruan në mënyrë të papërshtatshme”, theksoi presidenti ukrainas.
Të mërkurën në mëngjes, disa media ukrainase raportuan se pati një shkëmbim zjarri midis agjentëve të GUR dhe SBU në një lagje të Kievit.
Dje, SBU njoftoi se ky incident “krejtësisht i papranueshëm” midis agjentëve ndodhi ndërsa anëtarët e saj po kryenin një hetim.
Siç u shpjegua nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Ukrainës, ky operacion ishte pjesë e një hetimi mbi lidhjet e dyshuara midis shërbimeve ruse të sigurisë (FSB) dhe një komandanti të Korpusit Vullnetar Rus , një njësi ukrainase në varësi të GUR-it.
Shkëmbimi i të shtënave plagosi disa persona, vuri në dukje SBU, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Nga ana e saj, GUR denoncoi në deklaratën e saj të djeshme “një fushatë dezinformimi” që synonte “diskreditimin” e shërbimit dhe “njësive të tij luftarake”, pa përmendur hapur përballjen me SBU-në.
SBU dhe GUR janë dy shërbime të fuqishme të përfshira drejtpërdrejt në luftën kundër Rusisë, dhe rivaliteti midis tyre është i njohur prej kohësh.
Analisti politik Volodymyr Fesenko vlerësoi në llogarinë e tij në Facebook se shkaqet e konfrontimit janë “mosmarrëveshja personale dhe politike” midis kreut të SBU-së Oleksandr Poklad dhe ish-kreut të GUR dhe shefit aktual të stafit të presidentit ukrainas, Kyrylo Budanov. /
Aktuale.mk
