Ballina Showbiz Përse filmat biografikë përballen gjithmonë me polemika

Përse filmat biografikë përballen gjithmonë me polemika

Akuzat e vajzës së Elvis dhe Priscilla Presley, për portretizimin e gabuar të babait të saj në filmin “Priscilla”, kanë ngritur polemika të shumta në lidhje me filmat biografikë.

Marketing

Sipas studiuesve të fushës, biografia mund të reflektojë realitetin e një personazhi, por ka dhe një anë tjetër të medaljes që është keqinterpretimi i së vërtetës.

Filmi biografik shënoi kulmin në vitet 1930 por biografitë janë diskutuar gjithmonë si zhanër, sidomos vitet e fundit që kjo kategori është rikthyer në vëmendje të publikut të kinemasë dhe buxhetet për të janë rritur shumë.

Për ta bërë më emocionuese realizimin dhe portretizimin e personazhit real në film regjisorët dhe skenaristët ndërhyjnë me atë prekjen e tyre artistike që në realitet është modifikimi i ca të vërtetave rreth personazhit, për t’iu përshtatur tregut, audiencës, por sidomos për të arritur atë që çdo investitor në prodhimet filmike kërkon, arkëtime sa më të larta.

Me këtë qëllim, producentët, regjisorët, skenaristët, gjithë kasti realizues, përfshirë dhe aktorët janë në funksion për realizimin e një filmi që do të shesë në kohë rekord bileta dhe rrjedhimisht do të sjellë përfitime për të gjithë.

Le të ndalemi pak tek dy filmat biografikë më të diskutuar të këtij viti.

E nisim nga rasti i Lisa Marie Presley, e cila doli publikisht kundër filmit të ri që Sofia Coppola-s po xhironte për prindërit e saj. Kjo ndodhi 4 muaj para se Lisa të ndërronte jetë.

Ajo i dërgoi dy e-mail në shtator të vitit 2022 regjisores dhe producentes, Sofia Coppola, ku tregoi pakënaqësitë për skenarin. Ky skenar karakterizonte Elvis Presley-n si “një grabitqar dhe manipulues”, gjë që u konsiderua nga trashëgimtarja Presley si e pavend.

Portretizimi i historisë së çiftit në ekran është konsideruar një dramë e heshtur, intime e përshtatur nga vetë kujtimet e Priscilla-s “Elvis and Me”. Në kujtimet e saj Proscilla e përshkruan rrjedhën e romancës së tyre që me takimin e parë në Gjermani në vitin 1959, kur Priscilla Beaulieu (Cailee Spaeny) ishte një nxënëse 14-vjeçare dhe Elvis (Jacob Elordi) një superstar 24-vjeçar, e më pas e gjithë kronologjia vijon deri në detaje.

Por ajo që nuk është pëlqyer nga Lisa Marie Presley është se në film është marrë në konsideratë, vetëm historia e parë në këndvështrimin e njërës palë, që përfshin kryesisht përjetime personale të së ëmës.

“Si vajza e tij, unë nuk shoh asgjë nga babai im në këtë personazh që ju portretizoni në film. Në mbrojtje të nënës sime, e cila e ka kaluar gjithë jetën e saj duke ngritur lart trashëgiminë e babait tim, jam e shqetësuar sepse ajo nuk i kupton qëllimet apo pasojat pas këtij filmi”, ka shkruar vajza.

Një filmi tjetër që ka ngjallur shumë polemika, por sërish theu rekordet e shikueshmërisë, është “Oppenheimer” i Christopher Nolan. Opinionistët dhe ekspertët e kinemasë kanë sqarur se në film janë dy skena kryesore ku filmi devijon nga realiteti, megjithëse më parë u përfol për më shumë.

Në pjesën më të madhe, regjisori ka zgjedhur përgjegjësinë e historianit mbi lirinë e dramaturgut. Vendimi i regjisorit për të treguar historinë e bombës përmes syve të Oppenheimer, i jep filmit statusin e bashkëkohësisë sonë.

Filmi është kritikuar se nuk përshkruan ndikimin e bombës në Hiroshima dhe Nagasaki, dhe sfidon pretendimin se ishte i nevojshëm ushtarakisht, por kjo ishte e vërteta në këndvështrimin e Oppenheimer.

Këto detaje i kanë shtyrë ndjekësit të hulumtojnë, për të kuptuar në të vërtetë se çfarë fshihej pas realitetit të filmit biografik që konsiderohet më i suksesshmi në histori.

Exit mobile version