Përurohet donacioni i kompanisë Ecolog për Spitalin Klinik të Tetovës

Pas nënshkrimit në muajin dhjetor ‘23 të Memorandumit për Bashkëpunim mes Spitalit Klinik të Tetovës dhe kompanisë Ecolog, sot u përuruan repartet dhe ambientet e rinovuara të këtij spitali. Falë këtij donacioni nga Ecolog repartet e bllokut të sëmundjeve interne kanë marrë një pamje krejtësisht të re e moderne.

Marketing

Pacientët tash e tutje do të kenë kushte moderne në këto reparte të këtij spitali. Pozicionet ku janë realizuar punimet rinovuese përfshijnë gjashtë repartet e bllokut internistik: pediatria, endikronologjia, psikiatria, reparti i sëmundjeve interne, kabinetet dhe laboratoret. Promovimi i donacionit është bërë në praninë e filantropit Lazim Destani, Ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha, ish-drejtorit të këtij spitali Ilir Demiri, mjekëve dhe mysafirëve tjerë.

Filantropi Lazim Destani tha se ky inevestim është bërë që edhe Spitali Klinik i Tetovës të marrë një pamje europiane. “Dua ta falënderoj iniciatorin e kësaj pune, ish drejtorin Ilir Demiri, i cili na motivoi që të bëjmë këtë investim. Ne afaristët gjithmonë kemi dëshirë të ndihmojmë, por dikush duhet të na motivojë që të aktivizohemi në atë drejtim ku është në të mirën e shoqërisë, në të mirën e njerëzve tanë. Më vjen mirë që me këtë investim janë krijuar kushte më të mira jo vetëm për pacientët por edhe për personelin mjekësor. Do të doja ta shpreh vlerësimin tim ndaj gjithë atyre që, karshi interesave më të gjera apo madhore, bëhen bashkë duke i tejkaluar interesat e kampeve partiake, ashtu si në këtë rast”, tha z. Lazim Destani.

Ministri  i Shëndetësisë Arben Taravari, ftoi kompanitë që të ndjekin hapin e Lazim Destanit dhe të investojnë nëpër spitale.

“Unë e përgëzoj zotin Destani për këtë gjest që e ka bërë dhe besoj se kjo do t’i shtyjë edhe njerëzit tjerë, kompanitë që kanë përgjegjësi shoqërore që në periudhën e ardhshme të investojnë në repate të ndryshme në të gjitha Spitalet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Apeloj që sa më shumë të investohet në shkolla dhe nëpër spitale, sepse kështu i përmirësojmë kushtet ku mësojnë fëmijët tanë ose ku marrim shëbrime shëndetësore”, tha Ministri Arben Taravari.

Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha tha se këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme për këtë spital.

“Ky projekt i realizuar në Spitalin Klinik të Tetovës është mjaft cilësor dhe bashkëkohor. Me këtë investim do të përmirësohet kualiteti i shërbimeve tona të përditshme ndaj pacientëve tanë. Kompania Ecolog shquhet për humanitet në fusha të ndryshme ku një ndër to është edhe ky promovim. Këto donacione të karakterit humanitar janë më se të nevojshme, prandaj shpresojmë që në të ardhmen kjo kompani të vazhdojë me projektet e këtij karakteri për Spitalin Klinik të Tetovës”, tha drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Agim Berisha.

Ish drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Ilir Demiri, falënderoi filantropin Lazim Destani për këtë donacion, ku sipas tij, me vlerën prej rreth një milion euro, kompania Ecolog është donatori më i  madh për këtë spital.

“ Unë do të kisha cituar një hadith kuranor i cili thotë se më i miri nga ju është ai që është më i dobishëm për tjerët. Kjo është motoja e jetës sime, me këtë moto udhëhiqem, shpresoj që Zoti të pranojë donacionin dhe bamirësinë e zotit Destani”, tha Deputeti Ilir Demiri, ish-drejtor i këtij spitali.

Pas këtij investimi dhomat e pacientëve tashmë janë moderne, me banjo dhe tualete në çdo dhomë, televizorë, internet dhe me pajisje teknologjike të kohës, ashtu sikurse  spitalet moderne europiane. Këtë lloj investimi z. Destani e kishte premtuar në dhjetor të vitit të kaluar kur edhe u nënshkrua Memorandumi.

Marketing