Pesë shqiptarët e aksidentit tragjik në Greqi ishin punëtorë sezonal, mes tyre një 16-vjeçar

Pesë viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi në Edessa të Greqisë, ku një “Mercedes Benz” me targa shqiptare u përplas me një kamion, ishin punëtor sezonal.

Marketing

Kështu raportojnë mediat greke, të cilat kanë zbardhur më tepër detaje rreth aksidentit, duke përfshirë edhe moshën e 5 shqiptarëve që humbën jetën tragjikishit.

Sipas Protothema, pas operacionit të zjarrfikësve nga mjeti janë nxjerrë një 55-vjeçar, një 50-vjeçar, një 19-vjeçar, një 16-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Aksidenti rrugor ka ndodhur kur makina në të cilën ndodheshin pesë personat me origjinë shqiptare, për një arsye të panjohur ka përfunduar në korsinë e kundërt duke u përplasur me kamionin.

Sipas informacioneve drejtuesi dhe pasagjeri i makinës ishin 55-vjeçari dhe 50-vjeçari.

I gjithë grupi i shqiptarëve ishin punëtorë sezonal dhe po shkonin në drejtim të Skydra në Veri të Greqisë.

Sakaq, tregues i ashpërsisë së përplasjes është fakti se e vetmja pjesë e makinës që ka mbetur e paprekur ka qenë bagazhi.