Në kuadër të aksionit anti-duhan, Policia Financiare ka konfirmuar kryerjen e bastisjes në disa kompani që dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e duhanit.
“Më datë 27 qershor 2019, sipas udhëzimeve të Prokurorit Publik, dhe në bazë të njohurive për vepra penale të kryera në fushën e krimit financiar, për veprat penale Kontraband sipas nenit 278, paragrafi 3 dhe neni 5, paragrafi 1; Mashtrim doganor sipas nenit 353 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sipas urdhrave të lëshuar nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, Drejtoria e Policisë Financiare ka kryer kontrolle në disa persona juridik (kompani private) – importues të fletëve të duhanit dhe persona fizikë – ndërmjetësues për shitjen e paligjshme të tyre. Me qëllim të vërtetimit dhe zbulimit të akteve të paligjshme të lartpërmendura, kontrollet dhe veprimet hetimore nga ana e Policisë Financiare janë në vazhdim”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Ndërsa, sipas burimeve të Alsat këto kompani kanë importuar duhanin e tipit “Virgjinia” nga shtetet fqinje ndërsa më pas e kanë shpërndarë te personat fizik, përfshirë këto edhe banorët e Lubotenit. Ndërkaq nga pamjet e etiketave te mallit të konfiskuar duket se duhani i kontrabanduar ka ardhur nga Serbia.