Policia shqiptare shkatërron afro 290 mijë bimë narkotike dhe arreston 110 kultivues

Në Shqipëri, forcat e rendit bënë të ditur se kanë asgjësuar afro 290 mijë bimë narkotike dhe kanë arrestuar mbi 110 persona si kultivues dhe shpërndarës të saj gjatë këtij viti.

Marketing

Policia ka shpallur në kërkim 63 persona të përfshirë në këtë veprimtari, krahas dhjetëra procedimeve penale për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Forcat speciale sapo kanë djegur afro 13 mijë bimë narkotike në fund të një operacioni në Qarkun e Shkodrës, i cili preku një seri fshatrash në zona të thella malore.

Një operacion të ngjashëm policia zhvilloi edhe në malësitë e Skraparit, ku dogji afro 1 mijë bimë narkotike dhe arrestoi dy kultivuesit e dyshuar të tyre.

Në faza të mëparshme të operacioneve në Skrapar janë djegur mbi 2 mijë bimë narkotike dhe janë arrestuar 5 kultivues të tyre.

Forcat e rendit kanë shkatërruar gjatë kësaj jave 6 mijë bimë narkotike në malësitë e Krujës dhe arrestuan dy persona.

Po ashtu në malësitë e Tropojës, Pukës dhe Lezhës janë kryer disa arrestime si dhe djegia e afro 1 mijë bimëve narkotike.

Në dy fshatra të Fierit policia arrestoi në flagrancë dy kultivues të bimëve narkotike si dhe shkatërroi cannabisin e mbjellë në fusha me misër dhe pemë frutore.

Forcat e rendit arrestuan gjatë kësaj jave grupe të rinjsh që shpërndajnë marihuanën dhe droga të forta në Tiranë, Durrës, Korçë dhe qytete të tjerë.

Shtrirja e operacioneve policore dhe rezultatet e tyre tregojnë mbi kultivimin e vazhdueshëm të bimëve narkotike në territore të gjera të Shqipërisë./VOA

Marketing