Kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë Marko Bislimoski tha se çmimi i energjisë elektrike në tarifën e lirë ditore do të jetë i njejtë me tarifën e natës. Ai ka theksuar se tarifa ditore do të jetë dy orë në intervalin nga ora 12 deri në 16-17, për çka janë duke u bërë analizat përfundimtare. Bislimoski në një intervistë në “TOP TEMA” tha se tani është kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ai tha se nuk mund të tregojë se sa do të jetë çmimi në euro, sepse, siç theksoi, është vendim i menaxhmentit të Elektranave të RMV-së dhe Qeverisë.
“Unë jam kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike tani që janë ndërtuar shumë fotovoltaikë në vend. Nga 1 janari i vitit të kaluar e deri më tani janë lidhur në rrjet 256 megavat të reja burime të rinovueshme, nga të cilat 205-206 janë fotovoltaikë që duhet t’i shfrytëzojmë. Është në rregull që ata të fitojnë para, por EMV duhet të përfshihet në mënyrë aktive dhe të blejë energjinë elektrike të prodhuar për të kursyer ujin dhe qymyrin dhe ta përdorë këtë në periudha kur çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror janë të sigurta që do të rriten”, deklaroi Marko Bislimoski, kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë.
Bislimoski tha se së shpejti do të kemi informacione për çmimin përfundimtar të energjisë elektrike që do të paguajnë konsumatorët.
“Tenderi do të jetë javën e ardhshme, të hënën ose të enjten, janë të mundshme ndërrime. Pasi të marrim këto të dhëna, së shpejti do të kemi shifrat përfundimtare për çmimin përfundimtar që do të paguajnë konsumatorët”, deklaroi Marko Bislimoski, kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë.
Rivendosja e një tarife të lirë ditore vjen për shkak të kushteve të tregut, për shkak të fotovoltaikëve që kontribojnë në rritjen e furnizimit me energji elektrike gjatë ditës, e cila shpeshherë ka një çmim negativ në bursa gjatë asaj periudhe, ka thënë Bislimoski.