LSDM dhe VMRO-DPMNE do të mbështesin financiarisht fushatat e kandidatëve për president Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, po pa saktësuar se sa para do të ndajnë për fushatë. Zëdhënësi i LSDM-së, Konstandin Konstandinov, tha se për momentin po bëjnë përgatitjet finale të planit financiar për fushatën. Ai thotë se gjithçka do të jetë transparente për opinionin. Ndërsa nga VMRO-DPMNE, Naum Stoillkov thotë se financimin e fushatës do e bëjnë sipas Kodit zgjedhor.
Gjithsesi se do të jetë sipas limitit ligjor, ajo do të mund të shihet edhe nga raportet financiare, të cilat siç e di unë nxirren raporte financiare edhe gjatë fushatës, por edhe raport financiar i cili nxirret pas përfundimit të fushatës. Në mbikëqyrje të opinionit do të jenë të gjitha detajet rreth financimit të LSDM-së si parti politike- deklaroi Konstandin Konstandinov, LSDM.
Do të bëhet fushatë, do të bëhen tubime edhe media plane, por është herët që të dalim me shumë konkrete, por në çdo rast, ajo do të jetë transparente edhe në suaza të kornizave të caktuara ligjore- tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Ndryshe do të ndodhë me financimin e fushatës së kandidatit shqiptar Blerim Reka. Edhe pse ai mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, përfaqësuesit e Rekës thonë se nuk do të marrin mbështetje financiare nga këto dy parti.
Kemi njerëz që do të dominojnë, bizneset private, dashamirë, familjarë. /Në fund të fushatës, paguhen edhe votat, edhe atë e kemi paraparë si një pjesë që do të hyjë në pjesën e fushatës- pohoi Florin Hasani, Shef shtabi i kandidatit të Blerim Rekës.
Megjithatë, partitë politike do të financojnë vetëm aktivitetet në terren, pasi sipas Kodit të ri zgjedhor, reklamimin mediatik për kandidatët dhe partitë do ta paguaj Qeveria.
Është neni 76-D i Kodit zgjedhor i cili e rregullon çështjen e financimit të Fushatave sa i përket përfaqësimit të kandidatëve nëpër media, qoftë elektronike qoftë të mediave të shkruara, normal këtu edhe radiodifuzerët, ku potencohet që financimi i fushatës së paguar politike do të financohet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pikërisht Ministria e Financave këto mjete do ti parashikojë për këtë qëllim në llogari të posaçme- deklaroi Admir Shabani, KSHZ.
Sipas nenit 84 të Kodit Zgjedhor, pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore, mund të harxhojnë më së shumti 110 denarë për një votues të regjistruar në Listën zgjedhore. Fushata për zgjedhjet presidenciale, zyrtarisht do të fillojë më 1 prill. Deri atëherë, partitë politike dhe kandidatët nuk duhet të mbajnë aktivitete publike ose të shpërndajnë materiale propaganduese nëpër media dhe rrjete sociale.