Përpjekjet e Presidentit Biden për të rigjallëruar dhe reformuar ekonominë amerikane kanë tërhequr vëmendje të madhe, por administrata ndërkaq po punon edhe në frontin ndërkombëtar për të zgjeruar dhe reformuar një rrjet sanksionesh që Shtetet e Bashkuara u kanë vendosur vendeve dhe individëve në mbarë botën.
Në javët e para në detyrë, presidenti miratoi sanksione të reja ndaj disa shtetasve rusë lidhur me ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane; ndaj gjeneralëve birmanezë për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur me votë; ndaj disa shtetasve të Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi; ndaj disa zyrtarëve kinezë për dëmtimin e demokracisë në Hong Kong si dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të komunitetit ujgur; po ashtu edhe ndaj një biznesmeni izraelit për korrupsion.
Administrata e re po i bën gjithashtu ndryshime regjimit të sanksioneve.
Popullariteti i sanksioneve
Megithëse Presidenti e thekson shpesh se Amerika është rikthyer në arenën ndërkombëtare, duhet theksuar se presioni amerikan përmes sanksioneve asnjëherë nuk u ndal.
Për dekada me radhë dhe gjithnjë e më shpesh që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara i kanë përdorur sanksionet si mjet presioni për të detyruar vende të tjera të ndryshojnë politika apo praktika që Amerika i konsideron të papranueshme.
“Sanksionet janë bërë mjet i preferuar për të ndryshuar sjelljen e qeverive të tjera”, thotë Jordan Tama, profesor në Universitetin Amerikan, i cili studion ndikimin e sanksioneve.
“Shpesh politik-bërësve sanksionet u duken më tërheqëse se alternativa të tjera si veprimet ushtarake, apo diplomacia që shumë politikanë e komentojnë sikur Amerika nuk po bën asgjë. Prandaj sanksionet gëzojnë popullaritet”.
Sanksione të Gjera
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit menaxhon mbi tridhjetë programe të ndryshme sanksionesh, disa prej të cilave kanë në shënjestër vende specifike, ndërsa të tjerat ndëshkojnë kriminelë, rrjete terroriste dhe abuzues të të drejtave të njeriut.
Sanksionet e ashtuquajtura “gjithëpërfshirëse”, të tilla si embargoja amerikane ndaj udhëtimit dhe tregtisë në Kubë, Korenë e Veriut, Iran, Siri dhe rajonin ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Rusia në 2014, janë më të ashprat, me aftësinë për të bërë dëme të mëdha për ekonominë e një kombi. Shpesh këto sanksione rëndojnë shumë në kurriz të qytetarëve, të cilët kjo politikë premton të ndihmojë.
Vende të tjera, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Venezuelën janë gjithashtu objekt sanksionesh të konsiderueshme, por jo i një embargoje të plotë tregtare.
Sanksionet specifike
Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosin sanksione specifike që zakonisht vendosin në objektiv individë dhe subjekte biznesi të përfshira në aktivitete të caktuara, të tilla si zyrtarë të qeverisë kineze të përfshirë në internimin e ujgurëve myslimanë, ose bankat ruse të akuzuara për pastrim parash për oligarkët e korruptuar.
Lista e Departamentit të Thesarit me emrat e subjekteve të ndërshkuara me këto sanksione, të cilët njihen si “Shtetas me emërtim të posaçëm”, përmban 1.500 faqe me emrat (dhe pseudonimet e panumërta) të mijëra individëve dhe kompanive me të cilat qytetarëve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes.
Përfshirja në atë listë mund të jetë shkatërruese financiarisht për dikë që nuk ka mbështetjen e një qeverie sovrane, sepse ngrin të gjitha pasuritë e mbajtura nën juridiksionin amerikan dhe nuk u lejon institucioneve financiare që operojnë nën juridiksionin amerikan të zhvillojnë transaksioneve në dollarë me ta. Për shkak të rëndësisë së tregut amerikan për biznesin global të shërbimeve financiare, ndalimi i transaksionit në dollarë mund të izolojë një person ose kompani nga ekonomia globale.
A funksionojnë sanksionet?
Për një mjet që është përdorur për aq kohë dhe gjerësisht sa sanksionet amerikane, ka ende debate të konsiderueshme rreth dobisë së tyre. Ata që i mbështesin sanksionet si mjet i efektshëm sjellin shembuj si rënia e regjimit të Aparteidit në Afrikën e Jugut dhe përfshirja e Iranit në bisedimet bërthamore gjatë administratës Obama, të dyja pas vitesh me sanksione të rënda ekonomike.
Por kundërshtarët sjellin shembuj edhe më të shumtë kur sanksionet dështuan për të arritur qëllimet e tyre. Kuba, për shembull, pas 60 vjet sanksionesh mbetet nën regjim komunist. Programi i armëve bërthamore i Koresë së Veriut është zgjeruar, pavarësisht një regjimi të plotë sanksionesh.
Nëse peshohen të gjitha argumentet, sipas një analize nga Jeffrey J. Schott me Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare dhe Komisionin Këshillimor të Departamentit të Shtetit për Politikën Ekonomike Ndërkombëtare, sanksionet kanë arritur rezultatin e tyre të dëshiruar rreth një të tretën e kohës dhe zakonisht kur qëllimet e tyre ishin modeste.
Kthim tek Bashkëpunimi Shumëpalësh
Nën administratën Trump, sanksionet përdoreshin shpesh, por jo në koordinim me vendet e tjera. Kjo, thotë analisti Tama, është zakonisht metoda më e paefektshme për të ndryshuar sjelljen e një vendi.
“Sanksionet janë më efektive kur ato janë të koordinuara me aleatë dhe partnerë,” thotë ai. Prirja e Presidentit Biden drejt bashkëpunimit shumëpalësh mund t’i bëjë sanksionet më efektive se sa në kohën e paraardhësit e tij.
Për më tepër, zoti Tama parashikon që administrata Biden të kujdeset më shumë për t’i përdorur sanksionet amerikane si pjesë e një pakete politikash të jashtme, duke përfshirë angazhimin aktiv diplomatik, ndihmën e huaj dhe parandalimin ushtarak.
Një Sfidë Madhore
Me kalimin e viteve, është kristalizuar bindja se disa programe sanksionesh amerikane kanë shkaktuar dëm të lartë ekonomik mbi popullatat civile të pafajshme në vendet e shënjestruara, shpesh pa prodhuar rezultatin e dëshiruar. Përveç kësaj, ato mund të sjellin si efekt anësor largimin e këtyre vendeve nga dollari dhe anashkalimin e institucioneve financiare amerikane.
“Një nga sfidat për përdorimin e sanksioneve është të gjejnë një mënyrë për zbatimin e tyre kur është e nevojshme, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se ndonjëherë sanksionet mund të kenë disa efekte të padëshirueshme,” thotë zoti Tama.
Nuk dihet ende se si do ta trajtojë administrata e Presidentit Biden këtë problem, por duket se është bërë një hap përpara drejt zgjidhjes. Administrata do të riaktivizojë Zyrën e Koordinimit të Sanksioneve të Departamentit të Shtetit, një organizëm i mbyllur nga administrata Trump në 2017, në një përpjekje për të harmonizuar më mirë politikat e sanksioneve dhe zbatimit të tyre nga të gjitha agjencitë federale amerikane./VOA