Presidenti i FIFA-s uron Prishtinën për titullin e kampionit

13:33 | 20 Maj 2021

Marketing

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka dërguar një telegram presidentit të FFK-së, Agim Ademi, nëpërmjet të cilit e ka uruar FC “Prishtina” për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, si dhe ka falënderuar FFK-në për zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë.

Prishtina është shpallur kampione e re në Superligë akoma pa përfunduar xhiroja e fundit dhe kësisoj është uruar edhe nga Presidenti i FIFA-s, raporton lajmi.net.

Telegrami i presidentit Infantino:

I nderuar President,

Ju lutem më lejoni të përgëzoj FC Prishtinën që u kurorëzua kampion i Kosovës për edicionin 2020/21!

Ky titull pa dyshim është rezultat i punës së palodhshme, pasionit dhe përkushtimit të madh, prandaj të gjithë në klub mund të jenë krenar për këtë arritje të rëndësishme. Do të isha mirënjohës nëse përgëzimet e mia ua përcillni të gjithë të përfshirëve në klub, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me frymën e ekipit dhe me pasion e vendosmëri.

Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, përfitoj nga ky rast t’ju falënderoj Ju dhe Federatën tuaj për kontributin në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë, në rajonin tuaj dhe kudo në botë.

Pres që të shihemi së shpejti përsëri!

Me respekt,
Gianni Infantino

Ndeshja e fundit e Prishtinës do të jetë ndaj Ballkanit të dielën me fillim nga ora 15:00./Lajmi.net/