Presidenti i ri i Malit të Zi: Nuk do të ndodh tërheqja e njohjes së Kosovës

Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha për televizionin Nova se rruga evropiane e Malit të Zi është e padiskutueshme, dhe se politika e jashtme – bazuar në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare – nuk do të ndryshojë.

Marketing

I pyetur nga gazetarët nëse kjo do të thotë se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës, Millatoviq tha se “kjo është e qartë”.

“Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon, dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha ai.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve të së dielës, më 2 prill, Millatoviq mposhti ish-presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, duke i dhënë fund qeverisjes prej disa dekadash të Partisë Demokratike të Socialistëve në Podgoricë.

Në deklaratat e mëparshme për media, ai ka konfirmuar se mbështet nismën rajonale të Ballkanit të Hapur, së cilës Mali i Zi aktualisht nuk i përket.

Millatoviq tha se beson se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane dhe se Mali i Zi mund të jetë një partner i rëndësishëm atje.

“Mali i Zi mund të luajë një rol të rëndësishëm – si një lokomotivë që mund të jetë e para që do të hyjë në BE – dhe tani t’i shtyjmë, gjithashtu, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të na bashkohen”, tha ai.

Marketing