Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Enver Topalli.
Presidenti Thaçi ka thënë se Enver Topalli i përket veprimtarëve dhe atdhetarëve tipikë të viteve tetëdhjetë.
“Viti 1981 kishte bërë kthesë të madhe politike dhe historike për Kosovën dhe kombin. Këtë brez më së miri e përkufizoi profesori Ukshin Hoti, edhe vetë i burgosur në ato vite, i cili kishte theksuar, ky brez ishte kërkues ndaj vetvetes, shquhej për veprimtarë të disiplinuar, të etur për dije, këmbëngulës, njerëz të sinqertë dhe me edukatë të lartë familjare dhe kombëtare”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Sipas tij, intervenimi brutal i policisë jugosllave dhe vlerësimi i demonstratave të 1981-ës si kundërrevolucion e kishte bërë më të qartë vendosmërinë e elementit patriotikë për të mos u pajtuar asnjë moment me politikën shtypëse të Beogradit, që kulmoi me ardhjen e Milosheviqit në krye të saj.
“Derisa subjektiviteti i Kosovës po rrënohej sistematikisht, nga ana tjetër nuk mungoi organizimi i fshehtë i grupeve klandestine. Shënimi i përvjetorëve të demonstratave, përhapja e shtypit, trakteve dhe pamfleteve nuk u ndal asnjëherë”, ka shtuar ai.
I pari i vendit më tej ka thënë se si shumë veprimtarë të asaj kohe, edhe Enver Topalli frymëzohej nga personalitete dhe lëvizje të fshehta atdhetare, që kishin vepruar edhe para ngjarjeve të Pranverës 1981.
Zhvillimet politike kërkonin krijimin e një force të përbashkët, shkrirjen e grupeve të vogla politike në një front të përgjithshëm si brenda Kosovës, ashtu edhe në botën perëndimore, ku vepronte një diasporë e fuqishme, ka vijuar më tej presidenti.
Presidenti Thaçi ka thënë se Enver Topalli ishte i vetëdijshëm për nevojën e bashkimit të fuqive politike të të gjitha grupeve. Sipas tij, për këtë arsye ai qëndron një kohë në botën e jashtme, për t’u kthyer sërish në Kosovë, që të forcojë organizimin e grupeve të tilla atdhetare.
Kreu i vendit ka shtuar se Enver Topallin në jetën e tij e frymëzuan dy personalitete të rëndësishme.
“Adem Demaçi, simboli i rezistencës shqiptare, njeriu që u bë ndërgjegjja jonë kombëtare për 28 vjet me radhë nëpër burgjet jugosllave dhe Rexhep Mala, njëri nga të burgosurit politikë më të qëndrueshëm, që kalo nëpër tortura çnjerëzore. Prandaj, pas burgosjes, në procesin gjyqësor të vitit 1984, Enver Topalli para trupit gjykues shfaq idetë e tij patriotike dhe mbron fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, me një fjalim mbresëlënës”, ka vijuar presidenti.
Presidenti i vendit ka theksuar se Enver Topalli as në vitet 1990 nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare, duke theksuar angazhimin në kuadër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të komisioneve të kulturës dhe formave tjera organizative, ai bie në sy si një veprimtar i pandalshëm dhe i palodhur.
“Torturat dhe qëndrimet në burgje ia kishin dëmtuar shëndetin, por kurrë forcën morale, idealin e lirisë dhe vendosmërinë për ta kundërshtuar dhe luftuar administrimin serb në Kosovë”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Enver Topalli arrestohet disa herë edhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, për të t’u burgosur në viti 1998, kur në Kosovë filloi lufta e hapur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat ushtarake dhe policore serbe.
“Fatkeqësisht, më 19 maj 1999 Enver Topalli vritet në burgun e Dubravës. Të burgosurit shqiptarë, si të thuhet, me duar të lidhura, vriten në mënyrën ma mizore brenda burgut”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit më tej ka shtuar se duke e kujtuar Enver Topallin, kujtojmë të gjithë të burgosurit që u vranë, u plagosën dhe u keqtrajtuan në burgun e Dubravës.
“Krimi i kryer në Dubravë hyn në radhën e akteve më të rënda gjenocidale që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë gjatë viteve 1998 – 1999’, ka theksuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se që nga marsi e deri më sot, kudo nëpër Kosovës po kujtohen krimet, masakrat, djegiet, aktet e shfarosjes dhe spastrimit etnik deri në përmasat e gjenocidit.
“Askush, edhe pas 20 viteve, nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk doli para drejtësisë ndërkombëtare ose vendore”, ka theksuar presidenti.
Prandaj, me të drejtë Kuvendi i Republikës së Kosovës ditë më parë nxori rezolutën që dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Kjo ishte përgjigja më e mirë e institucioneve të Republikës së Kosovës për pretenduesit e mohimit të krimeve dhe gjenocidit që ka kryer direkt shteti i Serbisë. Prandaj, sot, përsëri është koha të gjithë pa dallime edhe si politikë, institucione , dhe si shoqëri të jemi të bashkuar në dënimin e gjenocidit të Serbisë dhe askush të mos bëhet pjesë e këtij bojkotimit të këtij dënimi apo mohimit të krimeve”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për Enver Topallin në njëzet vjetorin e rënies.