PRESIM BILANCE KONKRETE NË AVANCIMIN E STUDIMEVE TONA ALBANOLOGJIKE

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Marketing

Java e Albanologjisë që po fillon sot në Prishtinë është pjesë e
traditës që Instituti Albanologjik në vazhdimësi e ka kultivuar përmes
projekteve, veprave e hulumtimeve konkrete. Ajo çka mund ta bëjë të
veçantë këtë aktivitet është fakti se Java e Albanologjisë sivjet po
mbahet në frymën e një bashkërendimi në mes të tri qendrave tona
albanologjike në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Jam i lumtur që
edhe ITSHKSH është pjesë e kësaj fryme, me shpresë se ky vit do të
shënojë edhe sprovën tonë më të guximshme për të testuar gatishmëritë
tona që të veprojmë si një trung me disa degë.

Ashtu siç edhe jemi marrë vesh, ne si qendra albanologjike – Akademia
e Studimeve Albanologjike në Tiranë, Instituti Albanologjik në
Prishtinë dhe ITSHKSH në Shkup, do të organizojmë një sërë ngjarjesh
me karakter shkencor, ku do të vjen në shprehje parasegjithash fryma e
integrimeve të brendshme kulturore-shkencore shqiptare, si një hap i
domosdoshëm dhe parakusht procesit të integrimit tonë të
gjithmbarshëm brendakombëtar.

Ditë më parë në ITSHKSH në Shkup promovuam një vepër të rëndësishme të
ilirologut Aleksandar Stipçeviq, e botuar nga Instituti Albanologjik i
Prishtinës.

Në javët dhe muajt në vijim do të vazhdojmë me praktika të tilla, duke
këmbyer përvoja e njohuri që do ta bënin më të plotë e më fundamental
nivelin shkencor e hulumtues të studimeve tona albanologjike.

Në të kaluarën ka pasur përpjekje që institucionet kulturore e
shkencore nga Tirana , Prishtina të përpilojnë një kalendar të
përbashkët aktivitetesh, por këto përpjekje fatkleqësisht kanë qenë
parciale dhe nuk kanë përfshi një gamë më të gjerë ngjarjesh e idesh
me karakter gjithëkombëtar, ku me dashje a pa dashje Shkupi është lënë
jashtë këtyre kalendarëve.

Mund të themi lirisht se një përpjekje më serioze në këtë drejtim po
bëjnë qendrat tona albanologjike, duke vendosur si prioritet disa
aktivitete që do të trajtohen si jubilare, siç është, bie fjala, 50
vjetori i Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ngjarje kjo e
cila do të shënohet në tri qendrat tona albanologjike, duke u
sublimuar në një Konferencë shkencore që do të mbahet në Tiranë e ku
do të marrin pjesë studiues e hulutmues nga mbarë hapësira jonë
kombëtare dhe jashtë saj.

Gjithashtu edhe në ITSHKSH për çdo nëntor mbahen Ditët e Alfabetit e
cila ka si strumbullar një temë bosht. Sivjet do të jetë Kontributi i
albanologëve gjermanë për afirmimin dhe studimin e gjuhës shqipe –
tema qendrore, kurse me kontributet e tyre pritet të marrin pjesë edhe
albanologët e tri qendrave tona albanologjike.

Duke i uruar sukses dhe punë të mbarë Javës së Albanologjisë, që po
fillon sot këtu në Prishtinë, do të doja njëherësh t’iu shprehi
mirënjohjen time të sinqertë kolegëve të mi në Prishtinë dhe në
Tiranë, z. Hysen Matoshi dhe z. Luan Përzhita, për gatishmërinë dhe
vullnetin e tyre të pashoq që bashkëpunimi ynë të rezultojë me bilance
konkrete në avancimin e studimeve tona albanologjike.