Ndonëse Kremlini deklaron se forcat ruse i kanë zmbrapsur deri tani trupat ukrainase, në kundërofensivën e tyre për rimarrjen e territorit, një zë i fortë pranë presidentit Putin thotë të kundërtën.
Shefi i Wagner, Prigozhin, i cili në muajt e fundit ka qenë kritiku më i madh i drejtuesve të ushtrisë ruse, shprehet se në ditët e fundit trupat e Zelensky kanë avancuar të paktën me 6-7 km.
“Qytezat e Neskuchne dhe Blagodatnoye janë tashmë nën kontrollin e tyre. Fshati Storozhevoye gjithashtu është pushtuar nga Kievi, dhe prej andej armiku po i drejtohet fshatit Makarovka. Në bregun tjetër të lumit Mokry Yaly, armiku po sulmon trupat tona në fshatin Urozhaynoye”, u shpreh Prigozhin.
Ndërkohë që trupat ruse kanë hedhur në erë një tjetër digë ujëmbledhëse në rajonin e Donetkut.
Bëhet fjalë për digën e ndërtuar mbi lumin Mokry Yaly, dëmtimi i të cilës ka shkaktuar përmbytje të mëdha në të dyja anët e bregut.
Edhe këtë lëvizje trupat e Ukrainës e shpjegojnë me përpjekjet e fundit të pushtuesve për të ndaluar kundërofensivën e cila tashmë po shënon dhe rezultatet e para.