Shprehitë dhe teknikat e prindërimit ndryshojnë nga vendi në vend. Pra, në Danimarkë dhe vende të tjera skandinave, një prej tyre reflektohet në faktin se prindërit i lënë fëmijët e tyre jashtë në karroca çdo ditë për të fjetur në ajër të pastër.
Edhe pse mund të duket e çmendur, karrocat e braktisura me foshnja brenda, mund të shihen në të gjithë Danimarkën, pavarësisht nga moti.
Shihen në oborre, parqe, përballë restoranteve, kafeneve, dyqaneve… thjesht – kudo që të kthehesh. Aty mund të gjeni edhe “pika parkimi” për karroca dhe gjithçka u konfirmua nga një video virale e një përdorueseje të TikTokut, e cila shpjegoi se për çfarë bëhej fjalë.
Gjegjësisht, danezët e bëjnë këtë në mënyrë që foshnjat e tyre të kalojnë më shumë kohë në ajër të pastër. Sigurisht, prindërit janë në afërsi të fëmijëve të tyre, ose përdorin monitorë për t’i monitoruar, por ata besojnë fort se gjumi jashtë ka avantazhe të shumta.
Prindërit deklarojnë se është i mirë për sistemin imunitar dhe redukton rrezikun e kollës, ftohjes dhe infeksioneve duke ndërtuar imunitet natyral, si dhe redukton numrin e mikrobeve me të cilat foshnjat do të bien në kontakt në ambiente të mbyllura.
Në vitin 1926, mjeku islandez, David Thorsteinsson, sugjeroi se gjumi jashtë ishte i mirë për foshnjat, duke sugjeruar që prindërit t’i linin në karroca edhe në temperatura më të ftohta. Gjithashtu, prindërit pretendojnë se fëmijët e tyre flenë më gjatë dhe më thellë kur janë jashtë për shkak të tingujve qetësues të natyrës.
E njëjta përdoruese e TikTokut ka treguar edhe se si e përgatit fëmijën e saj për një “udhëtim” të tillë, më konkretisht si e vesh dhe e mbron nga i ftohti.
Dhe ndërsa kjo është një lehtësi e madhe për prindërit që kanë nevojë për pak kohë vetëm, shumë pranuan se nuk mund të bëjnë asgjë të ngjashme në vendin e tyre.
“Një luks që vetëm vendet e sigurta mund ta përballojnë”, shkruan një përdorues.
“Ne nuk ndihemi të sigurt në Amerikë edhe kur duhet t’i dërgojmë fëmijët në shkollë, e lëre më këtë”, shtoi një tjetër.
“Është e pabesueshme… Në vendin tonë do të shkonim në burg po ta bënim këtë”, është një tjetër koment, i cili është i vërtetë.
Gjegjësisht, përderisa kjo është e zakonshme në vendet skandinave, një grua nga Danimarka e cila në vitin 1997 la foshnjën e saj para një restoranti në New York, kaloi 36 orë në burg, pasi u arrestua për rrezikim të fëmijëve.
Në përgjithësi, Danimarka është një vend me shkallë të ulët të krimit. Ministria e tyre e Çështjeve Sociale dhe të Moshuarve raportoi vetëm 97 rrëmbime të fëmijëve nga mosha 0 deri në 16 vjeç, duke e renditur këtë vend si vendin e dytë më të sigurt në botë.
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse danezët janë ndër “njerëzit më të lumtur” që ecin në këtë planet.