Profesoresha Teuta Minahi i bashkohet Iniciativës për Gostivarin që duam

Në zyrat e Iniciativës qytetare “Gostivari që dua”, sot, është mirëpritur në mesin e anëtarësisë profesoresha e gjuhës angleze, Teuta Minahi.

Marketing

“Minahi nga sot aktivitetet në dobi të shoqërisë do t’i kryej në suaza të Iniciativës, e cila dita ditës po rritet me njerëz të profesioneve të ndryshme”, tha gazetari dhe shkrimtari Valon Osmani nga Iniciativa për Gostivarin që duam. Minahi aktualisht është mësimdhënëse e Gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Teknike Komunale.

“Kur i hedh sytë në përditshmërinë e secilit prej bashkëqytetarëve të mi vërej se në këtë qytet kaq të dashur për ne, për fat të keq, paguajmë kosto vazhdimisht. Humbasim vazhdimisht kohë në trafikun e ngarkuar, duke kërkuar parkim, paguajmë kosto për të rregulluar vazhdimisht makinat që na prishen nga rrugët e paasfaltuara apo të keqasfaltuara, me mungesë muresh mbrojtëse, pa trotuare, pa shenjëzim. Paguajmë kosto me shëndetin tonë nga shkatërrimi ambiental që bëhet përmes deponisë Rusino, papastërtisë publike, mungesës së gjelbërimit”, tha Minahi, e cila e motivuar nga këto brenga të përditshmë të gostivarasve, vendosi t’i bashkohet Iniciativës.

Në zyrat e Iniciativës për Gostivarin që duam, krahas anëtarëve të rinjë që për çdo ditë po bashkohen, aktualisht zhvillohen takime me përfaqësues të partive politike dhe po zbatohet peticioni për zgjidhje me praninë e qenve të pastrehë rrugëve të Gostivarit. Të hënën në ora 12:00, në sheshin e qytetit do të vendoset shtandi ku do të grumbullohen nënshkrime të qytetarëve.
Me respekt;
Iniciativa qytetare "Gostivari që dua"