Profesori Universitetit të Oxfordit e vizitoi Universitetin e Tetovës

Më 28 mars 2023, profesori i Universitetit të Oxfordit dhe historiani i shquar, James Pettifer e vizitoi Universitetin e Tetovës në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor.
Ai, në takim u prit nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe udhëheqësja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc. Donika Kamberi. Në këtë takim drejtuesit e UT-së i shprehën mirënjohje profesorit Pettifer për kontributin e tij të vazhdueshëm për çështjen shqiptare.
Vizita e historianit James Pettifer është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh kontributin e tij për kauzën tonë. Ai gjithmonë do të mbetet adresa ku do t’i gjejmë faktet, rrëfimet dhe historitë e popullit tonë, që me pasion të pashterur angazhohet për shqiptarët.
Në shenjë falenderimi, Universiteti i Tetovës ia dhuroi revistat universitare, monografinë e Universitetit dhe pllakatën simbolike me figurën e Rektorit historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Si një nga dashamirët e këtij Universiteti, James Pettifer i vlerësoi lartë të arriturat e Universitetit të Tetovës. Përpos diskutimit të frytshëm dhe pozitiv, kjo vizitë u përmbyll me disa fotografi te shtatorja e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Marketing