Prokuroria bullgare ndërpret hetimet për rastin e djegies së autobusit, kërkon më shumë bashkëpunim nga prokuroria e RMV-së

Zëdhënësja e kryeprokurorit të Bullgarisë, Sijka Mileva, tha se është ndërprerë procedura para hetimore për aksidentin e autobusit nga Maqedonia e Veriut në të cilin u dogjën 46 persona.

Marketing

Siç njoftojnë nga Agjencioni Informativ i Maqedonisë, Mileva tha për median bullgare BNT se arsyeja për këtë është për shkak se prokurorët bullgarë kanë kërkuar më shumë hetime dhe informacione nga kolegët e tyre në Maqedoni.

Mileva tha se hetimet e deritanishme kanë vërtetuar fakte të reja lidhur me atë që ka ndodhur gjatë natës tragjike.

Natën e 23 nëntorit 2021 autobusi u dogj plotësisht, por jo nga katër tubat e benzinës që transportonte shoferi maqedonas.

Ata nuk janë shkaku i zjarrit sepse kanë mbetur të paprekura.

Mileva tha se për të ishte një tragjedi e madhe, e cila do të mbetet në kujtesën e saj.

“Ky është një rast i paprecedentë dhe unik në histori. Hetimi i vendit të aksidentit ka zgjatur më shumë se 24 orë, duke filluar në errësirëne asaj nate, mëngjesin e hershëm të ditës së ngjarjes dhe përfundoi në mbrëmje. Gjashtë hetues dhe tre prokurorë kanë punuar në këtë rast dhe mbledhja e provave ka përfunduar për vetëm 10 ditë”, komentoi Mileva.

“Të gjitha sendet e gjetura u kthyen, dhe secili artikull u vulos veçmas. Janë kryer 45 autopsi. Prej të gjithëve është marrë material biologjik, nga i cili është nxjerrë profili i ADN-së. Me kërkesë për ndihmë juridike deri te organet e drejtësisë në Maqedoni, janë identifikuar edhe trashëgimtarët e viktimave, nga të cilët është marrë edhe ADN-ja”, shtoi Mileva.
Për përcaktimin e shkakut të vdekjes së pasagjerëve është kryer ekspertizë komplekse teknike, si dhe ekspertizë mjeko-ligjore.

Është konstatuar se shumica e pasagjerëve të vdekur kanë ndërruar jetë nga djegjet e rënda dhe goditja termike.

“Nga konstatimi i ekspertizës për ngjarjen është konstatuar se shoferi e ka drejtuar mjetin me shpejtësi joproporcionale dhe të madhe, për çka ka humbur kontrollin e autobusit”, deklaroi Mileva.

Ajo tha se kanë kryer edhe ekspertizë kimike, e cila ka konstatuar kategorikisht se në autobusin nga Maqedonia nuk ka pasur shenja të mjeteve shpërthyese.
Autoritetet maqedonase, tha edhe Sijka Mileva, kanë bashkëpunuar plotësisht në hetimin e këtij rasti tragjik.

“Me ta kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore dhe kolegiale. Falenderoj gjithashtu autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe zjarrfikësit, të cilët bashkëpunuan plotësisht me hetimin”, u shpreh Mileva.

Sipas saj, të mbijetuarit e aksidentit dhe të afërmit e të vdekurve duhet të thirren për t’u marrë në pyetje.

Për këtë procedurë në Bullgari janë marrë në pyetje rreth 30 dëshmitarë, mes të cilëve shoferi i autobusit, pasagjerët e mbijetuar, si dhe dëshmitarët okularë.

Tani, sipas Milevës, radha është e prokurorisë së Maqedonisë.