Prokuroria e Lartë urdhëron vazhdimin e hetimeve për rastin “Mazut”
Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit e ka urdhëruar Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të vazhdojë hetimet për rastin “Mazut”, i cili lidhet me furnizimin me mazut të Termocentralit “Negotinë” gjatë krizës energjetike, në periudhën 2021–2023.
Procedura hetimore ishte ndërprerë në maj të vitit 2026, pasi prokuroria kishte vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale. Kundër këtij vendimi, SHA ESM, në cilësinë e palës së dëmtuar, paraqiti ankesë.
Prokuroria e Lartë e pranoi ankesën e SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” dhe e shfuqizoi urdhrin për ndërprerjen e hetimeve ndaj 13 personave fizikë dhe një personi juridik. Ata dyshohen për keqpërdorim të procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për furnizim publik ose partneritet publik-privat, si dhe për pastrim parash.
Prokurorit të shkallës së parë i janë dhënë udhëzime shtesë për vazhdimin e procedurës.
Sipas Prokurorisë së Lartë, në ekspertizat mbi të cilat ishte mbështetur vendimi për ndërprerjen e hetimeve janë konstatuar mangësi. Për këtë arsye është kërkuar që të përcaktohen të gjitha veprimet individuale të personave të dyshuar.
Në veçanti duhet të hetohet nëse dhe cilët persona kanë ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ose kanë ndihmuar që ESM-ja, përmes keqpërdorimit të mjeteve të dedikuara nga Buxheti i shtetit dhe duke u thirrur në nenin 23 të Ligjit për Furnizime Publike, t’i mundësojë njërit prej të dyshuarve dhe kompanisë së tij përfitim të madh financiar.
Në mesin e personave të përfshirë në hetim janë biznesmenët Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski dhe Erxhan Sulkoski, ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, si dhe persona të tjerë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe procedurave të furnizimit publik, si dhe për pastrim parash.
Hetimi kishte zgjatur më shumë se një vit. Prokurorja Katerina Kolareviq, e cila e drejtonte lëndën, gjatë ndërprerjes së procedurës në maj deklaroi se provat e siguruara nuk ishin të mjaftueshme për ngritjen e një aktakuze që do të mund të qëndronte në gjykatë.
Sipas saj, në mesin e të dyshuarve kishte edhe punonjës të ESM-së, të cilët kishin dorëzuar dokumente nga Sektori i Prodhimit të kompanisë, me pretendimin se procedura e thirrjes publike ishte zhvilluar në përputhje me ligjin.
Dy përfaqësues të ESM-së, të propozuar nga drejtuesit aktualë të kompanisë, gjatë marrjes në pyetje kishin deklaruar se ESM-ja nuk ishte dëmtuar nga procedurat për furnizimin me mazut.
Megjithatë, ESM-ja në ankesën e saj theksoi se deklaratat teknike të këtyre personave nuk mund të trajtohen si dëshmi relevante për mungesën e dëmit financiar. Sipas kompanisë, ata nuk kishin autorizime juridike ose drejtuese për ta përfaqësuar ESM-në lidhur me çështjen e dëmit.
Vendimi për ndërprerjen e hetimeve kishte shkaktuar reagime politike. VMRO-DPMNE-ja e kishte kritikuar Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, si dhe prokuroren që e drejtonte rastin.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kishte zhvilluar bisedë telefonike me prokurorin publik të shtetit, Nenad Saveski. Ky i fundit tha se nuk ishte konsultuar për vendimin dhe se gjatë bisedës nuk ishin diskutuar hollësi të lëndës. Ai kishte theksuar se vendimi për ndërprerjen e hetimeve nuk ishte përfundimtar, pasi ESM-ja kishte paraqitur ankesë. / Aktuale.mk
