Prokuroria: Tetovari që vrau gruan hetohet për tre vepra penale

Tetovari i cili e vrau bashkëshorten e tij është nën hetim për tre vepra penale “vrasje”, “vrasje në tentim” dhe përpunim i paautorizuar, mbajtje, posedim dhe trafikim me armë ose materiale spërkatëse.

Marketing

Prokuroria Themelore Publike Tetovë, siç kumtohet në kumtesën e sotme, solli urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshimi bazë se i ka bërë veprat penale “vrasje”, “vrasje në tentim” dhe përpunim të paautorizuar, mbajtje, posedim dhe trafikim me armë ose materiale spërkatëse nga Kodi penal.

I dyshuari më datën 14 të këtij muaji gjatë kryerjes së dhunës familjare, e ka vrarë bashkëshorten e tij. Veprën e ka kryer në shtëpinë e vëllait të tij në Reçicë të Vogël, ku ka hyrë me dhunë, duke e thyer bravën. Pas grindjes verbale me tani më të ndjerën, ndaj saj ka shtënë me dy plumba nga arma e markës “TT” me kalibër 7.62mm, që e ka poseduar pa leje, duke e goditur në pjesën e qafës dhe në gjoks. Nga lëndimet e marra, gruaja ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Pas ngjarjes, i dyshuari e ka lëshuar vendin e ngjarjes, ndërsa vetëm disa minuta më pas, me paramendim ka dashur të vrasë edhe një person. Njëherit, derisa i dëmtuari ishte në automjetin e tij motorik dhe është nisur për të hyrë në oborrin e tij, nga ana e epërme e rrugës e ka hasur të dyshuarin me automobil, ka qëndruar paralelisht me automjetin e të dëmtuarit dhe ka shtënë ndaj tij dy plumba nga e njëjta armë.

I dëmtuari ka arritur t’i shmangë plumbat, duke u shtrirë në karriget e pasme të automobilit, pas çka i dyshuari e ka braktisur vendin.

Personi i dyshuar, siç theksohet në kumtesën e Prokurorisë publike, është gjetur dhe privuar nga liria dje pasdite në fshatin Gajre, me ç’rast nga ana e nëpunësve të autorizuar policorë i është marrë arma e theksuar dhe shtatë plumba municion i armës.

Duke vlerësuar se janë plotësuar të gjitha bazat ligjore, prokurori kompetent publik nga PTHP Tetovë deri tek gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës themelore Tetovës, dorëzoi propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.