Pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, në një deklaratë për televizionin “24 Vesti” thotë se autobusi i cili është rrotulluar ku humbën jetën 14 persona ka qenë teknikisht mirë, por thotë se shoferi e ka humbur kontrollin ndaj vetvetes.
Ai në deklaratë thotë se të punësuarit në kompani janë dëgjuar në telefon me shoferin dhe ai për ata i ka zbuluar arsyet e fatkeqësisë, gjegjësisht se e ka humbur kontrollin ndaj vetvetes derisa e ka drejtuar autobusin.
“Personi përgjegjës në “Durmo Turs” ka kontaktuar me shoferin pas aksidentit. Ai ka thënë se ka qenë në vetëdije dhe se e ka humbur kontrollin, në pyetjen e dytë nëse e ka humbur kontrollin ndaj autobusit ose ndaj vetvetes, shoferi ka thënë se e ka humbur ndaj vetvetes. Sipas të gjitha gjasave për shkaqe shëndetësore. Autobusi ka lëvizur rreth 200 metra, nuk ka as shenja të frenimit as reagim të vozitësit”, thotë Beluli.
Ai ka shtuar se ndjen përgjegjësi morale dhe se e ndanë dhimbjen bashkë me familjen e viktimave.
“Ata ishin anëtarë të familjes sonë, me vite kanë udhëtuar me ne. Në Gostivar me të gjithë njihemi. Thellë na vjen keq, jemi të tronditur dhe në shok”, thotë pronari i kompanisë.
Ndryshe, autobusi i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari, të enjten (13.02.19) rreth orës 17 i vozitur nga M.T (49) ka humbur kontrollin dhe ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë. Numri i viktimave ka arritur në 14, ndërsa 39 persona të tjerë janë shtruar nëpër spitale pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti.