Protesta e serbëve në Graçanicë: “Mbështetje për vëllezërit në veri”

Serbët në komunën e Graçanicës kanë protestuar me qëllim të mbështetjes së pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, dhe bërjes publike se nuk ka ndarje mes serbëve nga veriu dhe jugu.

Marketing

Graçanica është një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, e cila qeveriset nga Lista Serbe.

Kryetarja e komunës, Lilana Shubariq, deklaroi se serbët në jug mbështesin bashkatdhetarët e tyre në veri dhe vendimin e tyre për braktisjen e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se nëse “dhuna politike vazhdon, ata e dinë se çfarë të bëjnë”.

Ajo nuk specifikoi se për çfarë lloj dhune politike e kishte fjalën, as çfarë hapash do të ndërmarrin serbët në jug.

Në anën tjetër, shumë protestues, me të cilët foli ekipi i Radios Evropa e Lirë, thanë se nuk mund të thonë asgjë sepse as vetë nuk e dinë pse janë aty.

Këta janë kryesisht punëtorë të institucioneve serbe në Kosovë, dhe shpesh e kanë “obligim të punës” të protestojnë për shkak të situatës politike, ose të mbështesin listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.