Dje, para Ambasadës së Serbisë në Shkup, është mbajtur një protestë ku qytetarë kanë shprehur mbështetje për Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Me parula “Mbështetje për Vuçiqin” pjesëmarësit kanë valëvitur flamuj serb dhe maqedonas duke dërguar mesazhe për fqinjësi dhe stabilitet por edhe duke adresuar kritika për protestat e studentëve në Serbi.
Organizatorët e protestës – Shoqata e Qytetarëve “Paqë, unitet, stabilitet – Shkup” kanë shprehur falënderime për politikat e Vuçiqit, duke e quajtur lider të vetëm që nuk ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut të ndryshojë emrin dhe Kushtetutën si dhe për ndihmën, sic thanë, gjatë pandemisë me COVID-19.
Organizatorët kanë kritikuar protestat e studentëve në Serbi, duke pohuar se vendi i të rinjve është në arsim dhe shkencë e jo në protesta.
Protestuesit kanë falënderuar edhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, sic thanë, për mbështetjen e raporteve të mira me Serbinë.
“Zoti ta bekojë Maqedoninë, Serbinë dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq” – thanë organizatorët duke I bërë thirrje Ambasadores serbe, që t`i transmetojë Beogradit mbështetjet e Shkupit për Vuçiqin.