Pentagoni ka nisur hetimet për një shkelje të raportuar të sigurisë ku disa dokumente që ofrojnë detaje të planeve të SHBA-së dhe NATO-s për të ndihmuar në përgatitjen e Ukrainës për një ofensivë kundër Rusisë, kanë dalë në platformat e mediave sociale.
“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e postimeve në mediat sociale dhe Departamenti është duke e shqyrtuar çështjen”, tha Zëvendës Sekretarja e Shtypit e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, Sabrina Singh.
Dokumentet u shpërndanë në Twitter dhe Telegram dhe raportohet se përmbajnë detaje në lidhje me dërgesat e armëve, forcat e batalionit dhe informacione të tjera të ndjeshme, raporton The Guardian.
Një nga dokumentet përmbledh oraret e stërvitjes së 12 brigadave luftarake të Ukrainës ku thuhet se nëntë prej tyre po stërviteshin nga forcat e SHBA-së dhe NATO-s dhe kishin nevojë për 250 tanke dhe më shumë se 350 automjete të mekanizuara.
Ka kaluar më shumë se një vit që kur Rusia pushtoi Ukrainën. /rtsh.al/