Pushteti dhe opozita pa marrëveshje! Deskoska: Duhet pasur “Plan B”

Dështoi edhe përpjekja e sontme mes pushtetit dhe opozitës për të përafruar qëndrimet për projektligjin për Prokurorinë.
Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska bashkë me zëvendësin e saj Oliver Ristovskin u takuan pasditën e sotme me përfaqësues të opozitares VMRO-DPMNE, por as ky takim nuk solli ndonjë sukses. Duke dalë nga Kuvendi, ku edhe u zhvillua takimi, Ministrja Deskoska i tha TV21 se negociatat kryesisht u përqendruan rreth të ardhmes së lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale pas skadimit të mandatit, me qëllim, siç u shpreh ajo, që të mos ketë amnisti të fshehur.

Marketing

“Folëm për personat që janë të punësuar në Prokurorinë Speciale, për prokurorët dhe për strukturën e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar. Nuk kemi ndonjë përafrim të veçantë. Shkëmbyem argumente por nuk erdhëm deri në ndonjë dakordim” tha Deskoska për TV21.

E pyetur për “planin B” të pushtetit në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshjes mes palëve, Ministrja e Drejtësisë u shpreh se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se shteti patjetër e ka të mendojë për opsione në rast se nuk vihet deri tek sjellja e ligjit.

“Gjithsesi se opsioni ideal është që ta miratojmë ligjin, por nëse kjo nuk ndodhë, patjetër duhet të jemi të gatshëm edhe për opsione të tjera” përfundoi ajo duke thënë se shpreson që zgjidhja të gjendet deri më 15 shtator, atëherë edhe kur edhe me ligj PPS-së i skadon mandati.

TV21 u përpoq të marrë koment edhe nga Toni Menkinovski, si përfaqësues i VMRO-DPMNE-së në takim, por ai na tha se nuk dëshiron të japë përgjigje pas takimit. Përndryshe në takimin e sontëm mungoi deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski i cili e udhëheqë grupin e punës të opozitës. Ai gjatë ditës së sotme i tha TV21 se në disa fusha ka përafrim të konceptit për strukturën e Prokurorisë së re Publike, por shtoi se ende ka dallime dhe se “arritja deri te një tekst i përbashkët nuk është sfidë e lehtë, por nuk është as i pamundur”.

Bisedime mes pushtetit dhe opozitës zgjasin tashmë disa muaj pa marrëveshje pozitive. Me projektligjin e fundit, siç është mësuar, çështja ka ngecur tek neni 107 i projektligjit, ku rregullohet e ardhmja e PPS-së. Pushteti dhe VMRO-DPMNE kanë qëndrime të kundërta për vazhdimin e lëndëve të hapura pas 30 qershorit 2017 dhe për zhvendosjen e prokurorëve dhe të të punësuarve në Prokurorinë e re.

Opozita kërkon që epilog të kenë vetëm lëndët që janë në procese gjyqësore ndërsa prokurorët e Speciales të mos kalojnë me automatizëm në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë, por të shkojnë në prokuroritë amë ku kanë qenë para se të bëhen pjesë e PPS-së. Megjithatë projektligji i propozuar nga pushteti parasheh që Prokurorët e Speciales të bëhen pjesë e prokurorisë së re, bashkë me të gjithë të punësuarit e tjerë të cilët do të vendoseshin në vendet adekuate të punës. Po ashtu pushteti dëshiron që të vazhdojnë edhe edhe hetimet dhe lëndët e hapura pas skadimit të mandatit 18 mujor të PPS-së.

Marketing