Qeveria me plan aksional kundër lajmeve të rreme

Qeveria përgatiti Plan aksional për menaxhim me dezinformatat të cilat, siç deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, po bëhen sulm serioz në proceset demokratike dhe zgjedhore dhe ndikojnë në besimin e qytetarëve në institucionet dhe mediat.

Marketing

“Dezinformatat janë një nga sfidat më të mëdha për demokracinë në vitin 2019 dhe mjet për manipulim me qytetarët. Keqpërdorimi i teknologjisë për krijimin e entiteteve të rreme u bë sulm serioz në proceset demokratike dhe zgjedhore dhe seriozisht kërcënohen që të ndikojnë në besimin e qytetarëve në institucionet dhe mediat”, deklaroi sot në konferencën për shtyp kryeministri Zaev.

Ai shtoi se vendi në dy vitet e fundit në disa raste është përballur me përhapjen masive të dezinformatave në rrjetet sociale dhe në mediat tradicionale, ndërsa, siç tha, një pjesë e informacioneve ishin shpërndarë edhe nga territore të shteteve të tjera.

“Si përgjigje për këto kërcënime kibernetike dhe sipas angazhimeve për transparencë dhe llogaridhënie Qeveria po punon në Planin aksional për menaxhim me dezinformatat në nivel sistematik. Qëllimi ynë është që ta përforcojmë sigurinë nacionale dhe sigurinë e qytetarëve të vendit tonë dhe ta mbrojmë dhe avancojmë demokracinë”, tha Zaev.

Ai sqaroi se plani do të jepet në diskutim publik dhe se deri në përpunimin e versionit të tij final do të dëgjohen mendimet e të gjithë faktorëve në shoqëri. Plani përbëhet nga dy pjesë, në të parën janë përfshirë masa të sigurisë, ndërsa në të dytën masa proaktive.