Qeveria miraton masa kundër të nxehtit që pritet ta përfshijë vendin

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, mbajti seancë të jashtëzakonshme për shkak të paralajmërimeve për valë të të nxehtit në vend dhe dha rekomandimet e duhura.

Marketing

Nga Instituti i Shëndetit Publik dhe alarmi i motit i Administratës për Çështjet Hidrometeorologjike është marrë informacion se nga nesër (e mërkurë, 19.06.) deri të dielën (23.06) territori i gjithë vendit do të përfshihet nga vala e të nxehtit – faza portokalli. ndaj do të zbatohen rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës.

Në përputhje me këtë, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, për periudhën 19-23 qershor për të gjithë territorin e vendit janë miratuar konkluzionet e mëposhtme:

1. Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më të cenueshme të popullsisë, përkatësisht: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;

2. Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00;

3. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm, të pastrehët;

4. Duke qenë se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregulloreve ligjore në këtë fushë.