Qindra banorë të Tearcës preken nga virusi “Rota”

Virusi i quajtur Rota, ka prekur mbi qindra persona vetëm në fshatin Tearcë në tre ditët e fundit. Banorët ankohen nga të vjellat, temperatura dhe diarreja, ndërsa dyshimet e para janë se ky virus mund të jetë përhapur nga uji apo ushqimi.
“Nuk e di çka është, isha te mjeku më dha një injeksion nuk më tregoi çka është, atë duhet mjeku të ma thotë. Vjellje kam kjo është”.

Marketing

“Që prej dy ditësh jam, edhe zonja edhe unë. Përnjëherë filluan të vjellat, dhimbjet, ndjenja e lodhjes së madhe. Ujin se pimë tani, mbushim në Jegunoc tek një çezmë. Raste në fshat ka shumë, me siguri nga uji, shumë i papastër është uji”.

Mjekët e fshatit thonë se, shumica prej të prekurve trajtohen në ambulantë, ndërsa ka edhe të atillë që janë hospitalizuar në spitalin klinik të Tetovës dhe dy raste kanë përfunduar në klinikat e Shkupit.

Katër ditëve të fundit kemi një numër të madh të pacientëve që lajmërohen tek ne me temperaturë, të vjella dhe diarre. Dyshojmë tek ushqimi dhe uji i pijshëm. Nga ky virus, katër ditët e fundit i kemi diku 350 pacientë të sëmurë – deklaroi Majlinda Dervishi, mjeke.

Nga komuna e Tearcës, nuk përjashtojnë mundësinë që uji te jetë ndotur, por kërkojnë durim nga banorët, deri në shpalljen e rezultateve nga Instituti i Shëndetit Publik, nga mostrat e mara dy ditëve të fundit.

Pardje Instituti i Shëndetit Publik mori mostra nga uji i pijes dhe presim çdo moment t’i marrim analizat, po besoj që nesër do i kemi. Nuk duhet banorët të bëjnë në panik apo të shfaqin nervozë kur do t’i marrim rezultatet do njoftojmë banorët nëse është apo jo në rregull uji. Këtë periudhë uji i burimeve është zvogëluar dhe e plotësojmë prej lumit por klonohet filtrohet dhe kontrollohet rregullisht – tha Bobi Petrushevski – NPK Higjiena Tearcë.

Nga Instituti i Shëndetit Publik, shkurt janë përgjigjur se rezultatet nga mostrat e marra të ujit në disa burime ende nuk janë gati.