Çmimet e ilaçeve po bëhen gjithnjë e më të larta. Asnjë marzhë për çmime të kufizuara nuk u vë për prodhuesit dhe tregtuesit e barnave me shumicë e as nëpër barnatore si pika shitje me pakicë. Kjo bëri që qytetarët të paguajnë më shtrenjtë se gjithë fqinjët e rajonit për sëmundjet kronike që i kanë të domosdoshme terapitë e rregullta, shkruan Alsat.
Qytetarët shprehen se duhet të ketë ngrirje të çmimeve për barnat. Sipas tyre nuk është normale të ketë çdo muaj çmim të shtrenjtë një lloj tablete për shtypje të gjakut, për veshka, për zemër, për diabet apo për çfarëdolloj terapie tjetër që janë të domosdoshme për ta.
“Gjithçka private, të jep recetë shkon në barnatore por të thonë se e ke patjetër të blesh privat.
Çfarë është puna nuk e di, shko blej privat më thonë, por me këtë pension çfarë të marr më parë”, thotë një qytetar.
“Te barnat nuk ka lirime tash për tash asgjë”, tha një qytetar.
“Unë vet i kam 3 mijë denarë në muaj patjetër të blej tableta për by-pass në zemër. Janë pak shtrenjtë se çdo muaj e kam patjetër. Nëse nuk gjej këtu më duhet të shkoj në Kosovë po ajo ka kosto shtesë”, u shpreh një qytetar.
“Jo gjysma, por e gjithë pensioni po më shkon për barna. Edhe këto që janë shtrenjtë më çfarë të them”, tha një qytetar tjetër.
Nga shoqata e pacientëve thonë se dikush po përfiton padrejtësisht nga sëmundjet e qytetarëve. Rritja e çmimeve të dhjetëra preparateve farmaceutike bëhet në bazë mujore. As Agjencia e barnave as autoritetet tjera nuk ndërmarrin masa për të kontrolluar çmimet e çoroditura të ilaçeve në vend.
Nga “Hena-Onko” thonë se abuzime po bëhen edhe me listën pozitive, ku barnat që nuk prodhohen apo nuk ka furnizime ndahen para nga Fondi shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i shëndetit publik hedhin topin te njëra-tjetra për ndërhyrjen në listën pozitive të barnave, të cilat kanë çmime të subvencionuara.
“Doktorët ju japin rekomandime për barnat më të reja, kështu ju thonë pacientëve se janë më efikase kurse në listën pozitive ka barna që më nuk prodhohen as nuk i shkruan kush në receta. Dhe i pyes çfarë bëni me atë buxhet, thonë nuk e di, diku shpenzohet sepse ai buxhet ndahe”, dekalori Lidija Pecovak, Shoqata e pacientëve “Hema-Onko”.
Sipas shoqatave të pacientëve, lista pozitive e barnave nuk është ndryshuar që prej para 18 viteve. Si njëra nga format e vetme për mbrojtje të konsumatorit nga çmimet e ilaçeve mbetet me preparate të vjetra, të cilat nuk prodhohen dhe rekomandimet e mjekëve janë që pa recetë të blihen barna privat.
Këtu nuk bëhet fjalë për produktet para-farmeceutike dhe kozmetike që shiten edhe nëpër barnatore, por për tableta, ilaçe dhe serume të sëmundjeve ndër më të përhapurat në popullsinë e vendit. /Alsat.mk