Mbi dy e treta (72%) e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut gjithmonë i përfaqësojnë interesat e partive të tyre politike dhe interesat personale (78%), tregon anketa e terrenit e bërë nga Instituti për Demokraci, e cila është zbatuar me 1.000 të anketuar për perceptimin e qytetarëve dhe opinionit për punën e Kuvendit në periudhën prej qershorit të vitit 2018-të deri në prill të vitit 2019-të.
“62% e qytetarëve vlerësojnë se Qeveria ka kontroll ndaj Kuvendit. Vetëm 17% e qytetarëve mendojnë se Kuvendi ka kontroll ndaj Qeverisë (ashtu siç është e parashikuar me Kushtetutë), ndërkaq 20% e qytetarëve nuk kanë mendim për këtë çështje. Qytetarët punën e Kuvendit gjatë vitit të kaluar e kanë vlerësuar me notë mesatare prej 2.9, në shkallën prej 1 deri në 5”, thuhet në raportin për kualitetin e debatit në Kuvend, i cili ka të bëjë me periudhën prej 1 janar deri më 30 qershor të vitit 2019.
Qytetarët kanë vlerësuar se kualiteti i debatit në Kuvend është në nivel të ulët, gjegjësisht kanë dhënë notë minimale.
“Deputetët e shumicës LSDM dhe BDI kanë marrë pjesë në 30% të diskutimeve të vëzhguara, derisa opozitarja VMRO-DPMNE dhe koalicioni, Grupi i Pavarur i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni “Për Maqedoni më të Mirë”, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA, Alternativa dhe PDSH, kanë marrë pjesë në 60% të diskutimeve të vëzhguara. Deputeti më aktiv në foltoren e Kuvendit është Panço Minov me 283 minuta, ndërkaq pas tij është Trajço Dimkov me 213 minuta dhe Ilija Dimovski me 210 minuta. Në 32% të diskutimeve të analizuara deputetët nuk kanë pasur argumente, ndërkaq në 42% të diskutimeve të analizuara deputetët kanë pasur argumentin të dobët, gjegjësisht folësit kanë ofruar sqarim të pozitave të tyre të cilat nuk janë të mjaftueshme që të vlerëson si argumente të plota”, thuhet në raport.
Hulumtimi është zbatuar në kuadër të projektit “Kuvendi nën llupë”, i përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.