Racizëm në La Liga, Vinicius përsëri në shënjestër

La Liga dhe Spanja janë raciste. Kjo është akuza e ngritur nga Vinicius Jr. pas ofendimeve që tifozët e Valencias i bënë rreth ngjyrës së lëkurës. Ylli i Realit të Madridit ishte në qendër të abuzimeve raciste në Mestalla, në sfidën ku madrilenët humbën 1-0.

Marketing

Më tepër se të rezultati, vëmendja u përqendrua të episodet e shëmtuara që ndodhën. Vinicius Jr. tregoi me gisht tifozët që po e ofendonin, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes për 10 minuta. Më pas, sulmuesi u përfshi në debate me futbollistët e Valencias, ku u ndëshkua edhe me karton të kuq, pasi goditi një prej rivalëve me bërryl.

“Nuk është hera e parë, e dytë apo e tretë. Racizmi është diçka normale në La Liga. Liga e cilëson diçka normale, ashtu si edhe federata, ndërsa rivalët i inkurajojnë”, shkruajti Vinicius në Twitter pas ndeshjes.

Mes të tjerave, ai tha se “Kampionati që dikur i përkiste Ronaldinho-s, Ronaldos, Cristianos dhe Messit tashmë i përket racistëve”, duke theksuar se aktualisht në Brazil, Spanja njihet si vend racist.

La Liga njoftoi se do ta hetojë ngjarjen, teksa presidenti Javier Tebas iu përgjigj Vinicius Jr. se duhet të jetë më i informuar për punën e bërë kundër racizmit dhe nuk duhet të manipulohet.

Ngjarjet në Valencia u dënuan edhe nga trajneri i Realit,Carlo Ancelotti, teksa mbrojtësi brazilian Eder Militao i shprehu mbështetje shokut të tij të ekipit. Mesazh në mbështetje të 22-vjeçarit dha edhe presidenti i federatës braziliane, Ednaldo Rodrigues.

Notë proteste për autoritetet spanjolle u dërgua edhe nga ministria braziliane e Çështjeve Racore, që theksoi se qeveria e vendit latin nuk e toleron racizmin, pavarësisht nëse ai ndodh në Brazil apo jashtë.

Vinicius Jr. ka qenë disa herë në qendër të abuzimeve raciste. Rasti më i fundit ishte në Mallorca, ku disa tifozë ishin filmuar duke e ofenduar sulmuesin. Me gjithë episodet e shumta, liga spanjolle ka dështuar të marrë masa konkrete për ta luftuar fenomenin.

Marketing