Banorët e Kievit u detyruan te streohen në tunelet e metrosë të shtunën ndërsa Rusia lëshoi nje breshëri raketash. Sulmi ishte i dyfishtë dhe zgjati për disa orë. Objektiv i tyre ishte sërish infrastruktura kritike në Kiev dhe qytetin lindor të Kharkiv-it.
Një raketë ruse goditi një zonë banimi në fshatin Kopyliv jashtë rajonit të Kievit. Sulmi la një krater të madh në tokë dhe dëmtoi dritare e çati në disa banesa në fshatin që është rreth 30 kilometra larg kryeqytetit.
Sulmi ishte i përgjakshëm në Dnipro, ku Rusia goditi një ndërtesë banimi, duke lënë të paktën pesë persona të vdekur. Të plagosur mbetën 27 vetë, përfshirë 6 fëmijë.
Videoja e publikuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tregoi punonjësit e shpëtimit në vendngjarje duke kërkuar për të mbijetuar.
Ndërkohë që luftimet vijojnë të mbeten të ashpra, Britania e Madhe po shqyrton mundësinë për të furnizuar me tanke, ushtrinë ukrainase në betejën kundër rusëve. Nëse merret vendimi, kjo do të jetë hera e parë që një vend anëtar i aleancës perëndimore furnizon me armë të rënda të kësaj kategorie.
Mediat britanike shkruajnë se plani është për të dërguar në Ukrainë tanket Çellenxhër 2 që përdoren në fushëbetejë.
Edhe Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të tankeve, por të një kategorie më të lehtë siç janë AMX-10.