Rama: Ende s’kemi përgjigje zyrtare për takimin me Kurtin, anulimi i mbledhjes së qeverive u keqkuptua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo.

Marketing

Rama deklaroi se kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur ende kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht…Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur sio e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama Klan Kosova.

Rama tha se është shumë e rëndësishme që njerëzit të takohen dhe të flasin, sidomos kur kanë qëndrime të ndryshme. Ai tha se është përpjekur që të komunikojë me Kurtin, por se ka qenë e vështirë.

“Për këtë duhet të pyesni Albinin. Unë kam ardhur në emision që të komentoj e interpretoj qëndrimin e Albinit në këtë rast. Gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, të flasin dhe për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme, të takohen edhe më tepër dhe të flasin më tepër sepse duke u takuar dhe duke folur, kuptojmë mbase më mirë njëri-tjetrin dhe lexojmë më mirë qëndrimin e njëri-tjetrit. Kemi komunikuar natyrisht ose më saktë unë jam përpjekur të komunikojë, por ka qenë e vështirë. Është një moment i tillë dhe unë nuk dua që të jap gjykime”, tha Rama.

Rama deklaroi se ka një keqkuptim lidhur me anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Ka një tjetër keqkuptim të madh sikur anulimi i mbledhjes së dy qeverive ka ardhur si rezultat i masave ose si pararendje e masave të Bashkimit Evropian, në fakt e kundërta është e vërtetë. Unë kam kërkuar me insistim për disa ditë me radhë që të bëjmë një takim paraprak sepse kam dashur që t’i përcjell disa shqetësime dhe njëkohësisht kam dashur që të lehtësojë pozicionin e Kosovës, gjë që e kam kërkuar nga Shefi i Diplomacisë, Borrell, duke i kërkuar që t’i shtyjë disa ditë nxjerrjen e masave, në një përpjekje për të kuptuar më mirë situatën të gjitha palët. Nuk ka qenë e mundur për ta bërë takimin”, deklaroi Rama.