Rama: Refuzimi i Kosovës ndaj “Ballkanit të Hapur” është i gabuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nëse Kosova do të ishte në “Ballkanin e Hapur” do të zgjidhte me kohë çështjen e lëvizjes së lirë me Serbinë.

Marketing

Në konferencën për medie të samitit të “Ballkanit të Hapur”, që po mbahet në Beograd të Serbisë, Rama tha se refuzimi i Kosovës karshi kësaj nisme është i gabuar.

“Zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur është një zgjidhje e kornizës së “Ballkanit të Hapur” në sensin se ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti prej kohësh. Sot ata që lëvizin nga Shqipëria për Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe anasjelltas s’kanë nevojë për pasaportë. Thash po ashtu, nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Unë jam i bindur me kohë, s’thash se këtë e ka zgjidhur kjo treshe, apo Shqipëria dhe unë kemi luajtur ndonjë rol. Është kjo frymë, kjo rrugë dhe këto principe të ‘Ballkanit të Hapur’ që po jetësohen dita ditës. E kam thënë shumë hapur dhe i kam thënë edhe presidentit se ka konfirmuar qasjen e presidentit Vuçiq dhe neve që jemi pjesë e kësaj nisme në raport me lëvizjen e njerëzve”, tha ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se ka interes të madh për bashkëpunim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, megjithëse potencoi se ka dallime për Kosovën.

“Kur shtatë vjet më parë Edi erdhi në Beograd dhe unë erdha në Tiranë, e shihnim njëri-tjetrin në skajet e një fushëbeteje. Ai më foli për Kosovën, unë i fola për Kosovën. Tashmë ne i shohim dallimet tona, gjërat që i shohim ndryshe, megjithatë shohim një interes shumë të madh të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve”, theksoi Vuçiq.

Në konferencën e sotme për medie, kryeministri Rma tha se pret një dimër të vështirë energjetik në rajon, ndërkohë i bëri thirrje Brukselit që t’iu dalë në ndihmë përmes fondeve.