Ish-deputeti Genc Pollo ka komentuar në Facebook deklaratat e kryeministrit Rama se Gjermania e përkrah nismën e Ballkanit të Hapur.
Ai shkruan se zëdhënës i kancelares Merkel, është qartazi në përkrahje të plotë të Tregut të Përbashkët Rajonal një produkt i Procesit të Berlinit i nismuar para disa vitesh.
“Shprehja “ti lësh tjetrit kopilin në derë” nënkupton një veprim të bërë fshehurazi nga dikush dhe që do të shkaktoje më së paku surprizën e të zotit të shtëpisë. Elementi fshehurazi mungon në deklaratën (cicërimë në tëitter) e Edi Ramës se qeveria gjermane përkrahu nismën e tij bashkë me Vuçiçin e Zaevin të riquajtur Ballkan i Hapur (deri dje Minishengeni). Në fakt deklarata e zotit Seibert, zëdhënës i kancelares Merkel, është qartazi në përkrahje të plotë të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR), një produkt i Procesit të Berlinit i nismuar para disa vitesh po nga zonja Merkel.
TPR nuk ka asnjë lidhje fizike, organike, funksionale apo organizative me Minishengenin e Ballkanin Hapur. Në TPR marrin pjesë të tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor përfshi Kosovën. Në Minishengen kemi vetëm trojkën Vuçiç, Zaev e Rama. E megjithatë Rama nuk e ka për zor të thotë se qeveria gjermane mbështet Minishengenin. Dhe t’i gjejë kështu kopilit të tij një baba të madh e të kamur. Ah po! Dy nismat kanë diçka të përbashkët: edhe trojka udhëheqëse e Minishengenit, ashtu si dhe TPR, i referohet katër lirive evropiane. Si t’i thuash tjetrit se meqë foshnja ka dy duar e dy këmbë atëherë është e jotja”, shkruan Pollo.