Raportohet për sulme të reja të rebelëve Huthi

Tre sulme të dyshuara të rebelëve jemenas, Huthi, kanë shënjestruar një anije në Ngushticën Babe l-Mandeb, që lidh Gjirin e Adenit me Detin e Kuq. Autoritetet thanë se rojet e një kompanie private kanë qëlluar drejt një droni, që ishte nisur drejt anijes.

Marketing

Rebelët Huthi nuk kanë marrë menjëherë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse për muaj të tërë ata kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq, për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Pas një pauze dyjavore, sulmet e rebelëve jemenas rinisën pas vrasjes së shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Iran, në mes të shqetësimeve se lufta mund të zgjerohet. Irani mbështet Huthit, të cilët janë pjesë e të ashtuquajturit “Bosht të Rezistencës”.

“Operacionet po vazhdojnë. Operacionet tona kundër Izraelit armik dhe operacionet në det”, paralajmëroi lideri i rebelëve jemenas, Abdul Malik al-Houthi, gjatë një fjalimi të enjten.

“Vendimi për një përgjigje është vendim kolektiv në nivel të ‘Boshtit të Rezistencës’”, shtoi ai.

Të enjten, rebelët jemenas kryen sulmin e parë me raketa pas pauzës dyjavore, tha ushtria britanike, që shtoi se disa raketa shpërthyen pranë një anijeje. Sulmi i dytë ndodhi të premten në mëngjes, kur raketat “shpërthyen afër anijes”, tha ushtria britanike.

“Anija dhe ekuipazhi raportohet se janë të sigurt”.

Kompania private e sigurisë, Ambrey, raportoi se anija u godit nga një dron, por sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme materiale”.

Më pas u krye sulmi i tretë, kur rojet e kompanisë private “hapën zjarr dhe me sukses shkatërruan” anijen prej nga ishin nisur sulmet me raketahedhës, tha Ambrey.

Rebelët Huthi kanë shënjestruar më shumë se 70 anije me raketa dhe dronë dhe kanë vrarë katër marinarë që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit të kaluar. Ata po ashtu kanë arritur të marrin nën kontroll një anije dhe kanë fundosur dy të tjera. Sulmet e tjera të tyre janë penguar nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja në Detin e Kuq, ose nuk kanë arritur të godasin caqet.