re milionë denarë nga shteti për fazën e parë të sanimit të kanalit të Hasanbegut

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me 3 milionë denarë do të financojë fazën e parë të punëve për sanimin e kanalit në Hasanbeg, aktivitet ky që është prioritet numër një për banorët e këtij vendbanimi, tha sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu.

Marketing

Në takimin me kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski ku mori pjesë edhe drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, Ramiz Rexhepi, u bisedua për aktivitetet në ecuri në këtë komunë, projektet e parashikuara për këtë vit dhe periudhën e ardhshme si dhe zgjidhjen e çështjeve prioritare të banorëve nëpër vendbanimet që janë pjesë përbërëse të komunës.

Ministri Fazliu para të pranishmeve theksoi nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të komunave me Ministrinë për vetëqeverisje lokale dhe bashkëpunimin e patjetërsueshëm mes komunave me bashkësitë lokale. Ai me këtë rast nënvizoi politikën e zhvillimit të barabartë regjional si parakusht për zbutjen e dallimeve mes komunave dhe vendbanimeve të cilat janë të shprehura në shkallë të lartë sidomos ndërmjet komunave rurale dhe vendbanimeve në zona më të thella.

“Ne jemi të gatshëm, që me mjetet që disponojmë në ministri të ndihmojmë realizimin e projekteve të iniciuara ndërsa në këtë drejtim duhet shfrytëzuar mundësia për përgatitjen e projekteve cilësore që do të dalin si prioritet i qytetarëve dhe të njëjtat të gjejnë mbështetje edhe nga organizatat dhe fondet evropiane”, tha Fazliu.

Kryetari i komunës së Gazi Babës e njoftoi ministrin Fazliu me aktivitetet dhe punët e realizuara deri tani e që kishin të bëjnë kryesisht me investime në infrastrukturë, hapjen e kapaciteteve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve dhe aktivitete të tjera. Ai veçanërisht potencoi projektin për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Gazi Babës i cili pritet të realizohet në partneritet publiko-privat, ndërsa foli edhe për disa aktivitete të parashikuara në lagjen Hasanbeg, duke përmendur me këtë rast betonimin e kanalit në gjatësi prej rreth 300 metrash.

Ministri Fazliu i shoqëruar nga kryetari Georgievski vizituan objektin e rindërtuar të bashkësisë lokale “Alija Avdoviq” ku tashmë ishin krijuar kushte ideale në një vend do të funksionojnë edhe Zyra për Evidencën e regjistrave të amzës dhe Stacioni policor.