Në një postim të publikuar në fejsbuk, Shpëtim Pollozhani paska vënë në shënjestër edhe
Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës. Me gjithë respektin dhe konsideratën që kemi për të kaluarën e
tij, në këtë rast jemi të detyruar t’ia sqarojmë disa gjëra të cilat nuk i ka fare të qarta.
I nderuar zoti Shpëtim Pollozhani!
Ju, me të drejtë, zemëroheni dhe reagoni për shpërfilljen që i bëhet gjuhës shqipe në
Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por, fatkeqësisht, që në fillim gjërat i ngatërroni për shkak
të mungesës së njohurive dhe informacionit lidhur me këtë çështje kaq të ndijshme.
Për moszbatimin e gjuhës shqipe në fabrikën e miellit në Tetovë, në kompaninë farmaceutike
“Alkaloid”, ju pyesni në mënyrë shumë të gabuar: “Ku është drejtoria pë zbatim të ligjit për
Gjuhën Shqipe?”, siç e keni shkruar me plot gabime gjuhësore. Ose pak më poshtë: “Drejtori
shqiptar i kësaj drejtorie-kuadër i Duit, me ç'e arsyeton rrogën e vetë të majme!???”, siç
shkruani me cinizëm. Na vjen shumë keq për këtë retorikë nevrike e të pahijshme, por ju nuk e
keni të qartë as adresën e as emërtimin e institucionit. Prandaj medoemos duhet t’ju sqarojmë
se nuk është Drejtori, siç thoni, por Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.
Në këtë aspekt ju nuk i keni të qarta as kompetencat ligjore të institucionit në fjalë. Për këtë
arsye është mirë që ta lexoni Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, e pastaj do të bindeni vetë se
detyrë e kujt është kjo për të cilën po flisni ju.
Natyrisht, edhe për sa i përket drejtorit të AZGJ-së, ju nuk keni fare informacion për aktivitetet
që po i zhvillon ai çdo ditë. Po jua përkujtojmë se drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, qysh më 25
shkurt 2020 ka pasur takim me përfaqësuesit e “Alkaloidit”, prej të cilëve ka kërkuar me ngulm
që ta zbatojnë gjuhën shqipe në udhëzimet e barnave. Po ashtu, takim të njëjtë ka pasur edhe
më 28 shkurt 2020 në Agjencinë e Barnave dhe të Pajisjeve Mjekësore, me ç’rast e ka shtruar
pikërisht çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe edhe në udhëzimet për barnat, agjenci kjo e
cila ka ingerenca për t’i detyruar kompanitë farmaceutike që ta përmbushim detyrimin ligjor.
Prandaj mbetet detyrë e këtij institucioni përkatës të ushtrojë trysni dhe t’i detyrojë kompanitë
që ta zbatojnë edhe gjuhën shqipe.
Gjithsesi, drejtori Ylber Sela këtë e ka bërë edhe nëpër shumë institucione të tjera shtetërore,
duke i sensibilizuar dhe inkurajuar ato që t’i ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për ta
zbatuar gjuhën shqipe. Mjafton ta hapni ueb faqen e AZGJ-së dhe të shihni se sa shumë
aktivitete ka zhvilluar drejtori Ylber Sela me bashkëpunëtorët e tij.
Për sa u përket këtyre, duhet sqaruar se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka detyrimet e saj ligjore
që t’i lekturojë të gjitha tekstet e përkthyera që i kërkojnë institucionet shtetërore, si dhe t’i
përkthejë dokumentet e ndryshme zyrtare që këkohen prej saj. Dhe këtë detyrë po e kryen me
sukses çdo ditë. Mbase janë me mijëra faqe dokumentesh, shkresash, aktvendimesh,
rregulloresh, formularësh etj., që tanimë janë në zbatim praktik nëpër shumë institucione.
Prandaj mbetet detyrë e institucioneve të tjera, e sidomos ato që drejtohen nga funksionarë
shqiptarë, që t’i kryejnë detyrimet e tyre në aspektin e zbatimit të gjuhës shqipe. Pa dyshim,
barra më e madhe i bie Inspektoratit të Zbatimit të Gjuhës, si institucion kompetent, që t’i
detyrojë dhe t’i ndëshkojë institucionet që nuk e zbatojnë gjuhën shqipe.
Meqë po flasim për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është mirë që të gjithë të kemi kujdes e të mos e
fyejmë atë duke bërë gabime.