Opinioni gjykon ashpër fjalorin e akademikes Katica Qullavkova e cila ditë më parë në Twitter shkroi se “Çmimin e bashkëjetesës po e paguajmë me jetë”.
Edhe pse më vonë fshiu postimin dhe tentoi të shpjegohet se bëhet fjalë për qëndrim personal dhe nuk ka lidhje me situatën ndëretnike në Maqedoni, Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë nuk dënoi dhe as nuk u distancua nga qëndrimi nacionalist dhe racist i anëtares saj. Reagimet e akademikëve ishin personale.
Abdylmenaf Bexheti, vlerëson se Qullavkova është : “E ngarkuar edhe me recidivet e së kaluarës, e frustruar nga ndjenja e indiferencës dhe krizës identitare nga të tretët përreth, etnocentrizmin e akumuluar si rezultat i perspektivës dëshpruese e vjellë ndaj bashkëqytetarëve si ndjenjë e të gjitha të këqijave që i ndodhin vendit.”.
Nxitjen dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në kohë pandemie, komunikologët e vlerësojnë si çmenduri të shekullit 21. Magdalena Mihajllovska thotë se virusi nuk njeh përkatësi etnike.
“Ajo që dua të them pa u bazuar vetëm në deklaratën e akademikes Qullavkova është se ne duhet në vendin tonë duhet të ndalojmë së luajturi me kartën nacionaliste. Të rinjtë duan shtet serioz dhe funksional që garanton kualitet jetësor për të gjithë. Koketimi me ndjenjat nacionale të njërit ndaj tjetrit duhet të ndërpritet. Nuk na çon askund kjo. Këtë duhet ta marrim seriozisht- pohoi Magdalena Mihajllovksa, Komunikologe.
Gazetari Xhelal Neziri thotë se njerëzit si Qullavkova mund të gjejnë qetësi shpirtërore në një realitet tjetër. Lidhur me mos reagimin e ASHAM-së, Neziri shton se mos reagimi i tyre dëshmon nevojën për reforma në atë institucion.
“Njerëzit si Qullakova ta lëshojnë këtë vend dhe të ikin nga ky realitet. Pra të gjithë ata që nuk pajtohen me realitetin multietnik të vendit, ka zgjidhje, mund të gjejnë zgjidhje tjera ku realiteti është një etnik, një fetarë. Pra në vendet ku mund të gjejnë qetësinë e tyre shpirtërore”- tha Xhelal Neziri, Gazetar.
Qullavkova njihet si akademike e cila me gjuhën e njëjtë ka reaguar edhe kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Alsat-M